I jepet lamtumira e fundit simbolit të operas dhe muzikës shqiptare, Gaqo Çako

1,204

Tenori i njohur dhe me vlera të jashtëzakonshme vokale Gaqo Çako është ndarë nga jeta mbrëmjen e së mërkurës.
Simboli historik i Teatrit të Operas dhe Baletit shqiptar ndërroi jetë në banesën e tij në moshën 83-vjeçare.

Me një karrierë të pasur operistike, që nga viti 1961, Çako ka qenë tenori kryesor i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës për tri dekada me radhë.

Gaqo Çako lindi më 24 janar 1935. Fëmijërinë e kaloi në Korçë, aty ku serenatat nuk reshtën asnjëherë së kënduari. Më pas u vendos në Kuçovë, ku dhe spikati nëpër aktivitetet në shtëpinë e kulturës, ku edhe i dhanë të drejtën për studime në Liceun Artistik. Adoleshencën e kaloi në Tiranë.

Në vitet 1957 dhe 1961 studioi në konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Pas kthimit në Shqipëri më 1961 ai u emërua tenor i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, ku këndoi shumë nga rolet e para të repertorit operistik, duke u bërë kështu tenori kryesor për tri dekada me radhë.

I nderuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” Gaqo Çako ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

“Traviata”, “Bohema”, “Rigoleto”, “Norma”, si dhe operat shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, “Heroina” e Vangjo Novës, “Skënderbeu” i Prenk Jakovës, “Komisari” i Nikolla Zoraqit, “Zgjimi” i Tonin Harapit, “Toka e jonë” e Pjetër Gacit, kanë ngelur në repertorin e muzikës klasike me performancën e mjeshtrit të vokalit Gaqo Çako. Ka shëtitur pothuajse në të gjithë teatrot e botës.

Mjaft i njohur edhe në skenat italiane, ku ai ka mbaruar konservatorin e Santa Cecillias.

Ai ka interpretuar veprat më të mira të kompozitorëve botërorë, edhe shqiptarë, por edhe ka kënduar në 28 edicione të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar.

Comments