Problemet e brendshme nacionale në Kosovën Lindore janë të zgjidhshme,vetëm se duhet vullneti i BE-së dhe Amerikës!

590

Isuf B.Bajrami

Kriza e shkaktuar në Kosovën Lindore është një veprim proporcional i përfaqësuesve të Misioneve Ndërkombëtare në Serbi së bashku me vendorët!
Ky vend i përjetoi shumë lufta dhe kriza të mëdha, që nga sundimi otoman e deri te sundimi serb, kap një periudhë mbi 600 vjeçare, prandaj përkrahja për një të ardhme më të ndritur është dashur të shoqërohet mbi një studimi shkencor që do të kishte qasje tjetër. Kosova Lindore meriton një trajtim më dinjitoz, në asnjë mënyrë nuk duhet të shndërrohet, në mostër për eksperimente me pasoja tragjike.
Populli shqiptar i Kosovës Lindore është fisnik e bujar, por me fisnikërinë e sinqeritetin e tij po tentojnë të tallen! Klika e mbetur nga sllavo-socializmi jugosllav dhe ideologji ekstreme të majta, po bie ndesh me interesat e popullit shqiptarë, me kulturën demokratike të tyre. Europës Perëndimore dhe sidomos Kosovës lindore i nevojitet një doktrinën amerikane për shoqërinë demokratike.
Kjo që po them do të del më në pah nëse bëhen hulumtime për të parë ku është shkaku i këtij ngërçi, ku janë gabimet sepse pasojat po shihen. Tashmë nuk mund të fshihet se për gjendjen reale në Kosovën Lindore, kanë reaguar vendet mike dhe shumë institucione përkatëse të cilat monitorojnë situata dhe vende me kriza të mëdha, në rastin konkret edhe me Kosovën Lindore.
Por në Kosovën Lindore ekziston një distancë e madhe në mes deklarimit euforik të cilin e bëjnë kryesisht “politikanët” adoleshent dhe ata profesionistë dhe të arsyeshëm. Deklaratave të cilat gjejnë mbështetje mjaftë nga përfaqësuesit diplomatik ndërkombëtar, të cilët pritet që ta ndryshuar kursin e tyre në raport me “politikanët” që vet po i kritikojnë, nëse dëshirojnë për të ndryshuar realitetin që ekziston. Serbia vazhdon të aplikojë legjislaturë restriktive në sferën e përdorimit zyrtar të simbolit kombëtar të shqiptarëve, meqë ai “është i ngjashëm me simbolin e shtetit tjetër”.
Bojkotimi i regjistrimit të popullsisë të vitit 2011 nga ana e popullatës shqiptare është shfrytëzuar prej autoriteteve zyrtare të Beogradit për ndërmarrjen e masave ndëshkuese. Në radhë të parë duke e paraqitur numrin e Shqiptarëve në Serbi me shifrën e falsifikuar prej 5.809 nga 61.647 sa ishin regjistruar në vitin 2002, po reduktohen dukshëm të drejtat që më parë kishin Shqiptarët në këtë shtet. Deri më tani nuk janë respektuar as rekomandimet e Opinionit të tretë për Serbinë të Komitetit këshillëdhënës të Këshillit të Evropës.
Duke pasur parasysh gjithë ato që u thanë më sipër, duke pasur parasysh obligimet e Serbisë që dalin nga Kapitulli 23 për integrimin e Serbisë në BE, kërkohet angazhim më konkret drejt autoriteteve në Beograd për t’i përmbushur kërkesat dhe nevojat e popullatës shqiptare që jeton në Kosovën Lindore
Legjislacioni serb me të cilin rregullohet mbrojtja e të drejtave të minoriteteve, ashtu siç e thotë edhe Opinion i tretë për Serbinë i Komitetit Këshillëdhënës për zbatimin e Konventës kornizë të Këshillit të Evropës, i nëntorit të vitit 2013, në masë është i harmonizuar me Konventën kornizë dhe standardet e tjera ndërkombëtare.
Mungesa e vullnetit politik për aplikimin praktik të zgjidhjeve ligjore, mungesa e fondeve dhe e programeve afirmative që do të ndikonin që ligjet e aprovuara të reflektojnë edhe praktikisht në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve dhe pakicave tjera, në praktikë, paraqesin problem permanent.
Problemi themelor i shqiptarëve në Kosovën Lindore është statusi i pazgjidhur politik i tyre. Më 2001 qeveria e Serbisë ka aprovuar “Programin për zgjidhjen e krizës në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë”. Ky program i mbështetur edhe nga bashkësia ndërkombëtare parashihte që përmes ndërmarrjes së masave të veçanta të ndihmohet në: integrimin e shqiptarëve në institucione shtetërore e publike,zhvillimin ekonomik të këtij rajoni më të pazhvilluar në Serbi.
Serbia nuk e ka të definuar politikën integruese për minoritetet, nuk ka as politikë proaktive përmes së cilës do të ndihmohet integrimi i minoriteteve në baza të barabarta në jetën politike, ekonomike, kulturore. Serbia nuk ka asnjë program stimulues për revitalizimin e ekonomisë së shkatërruar në komunat, në të cilat, shkalla e papunësisë e kalon edhe 70%. Përkundër këtij fakti, pas përfundimit të konfliktit të armatosur më 2001, shqiptarët mbeten minoriteti me pjesëmarrje më të ulët në institucionet shtetërore. Shumë organe dhe institucione të shtetit, që kanë njësitë e tyre në komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë në përbërjen e vet nuk kanë fare shqiptarë, ose, pjesëmarrja e shqiptarëve është vetëm simbolike. Sistemi gjyqësor është i centralizuar, pushteti serb i ka shuar gjykatën dhe prokurorinë themelore në Preshevë, si dhe prokurorinë themelore në Bujanoc, ndërsa, përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e gjyqësorit është dukshëm me i ulët se përbërja etnike popullatës. Për udhëheqjen e procedurave gjyqësore në gjuhën shqipe, siç e parasheh legjislacioni i brendshëm, as që mund të realizohet fare!
Në sferën e arsimit fillor dhe të mesëm problemi kryesor mbetet mungesa e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Njohja e diplomave të universiteteve të Kosovës, që ishte zgjidhur në bazë të Marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk po zbatohet në praktikë.
Ndërsa, respektimi selektiv i Ligjit për Amnistinë e ish-pjesëtarëve të UÇPMB-së, i vitit 2002 krijon, në vazhdimësi, pasiguri juridike për shumë të rinj shqiptarë, që ishin viktima të shpeshta të aksioneve spektakolare të “arrestimit për krime lufte”. Asnjë rast i vrasjeve enigmatike ose i zhdukjes së civilëve gjatë njëzetvjeçarit të fundit nuk është zgjidhur në organet e drejtësisë ! Vazhdimi i gjendjes militarizuese në rajon me njësi të jashtëzakonshme të forcave speciale të policisë dhe me pjesëtarë të ushtrisë; sidomos pjesa e Malësisë së Bujanocit, Karadakut të Preshevës dhe e brezit kufitar në Medvegjë; vazhdon ta vështirësoi qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, si dhe krijon një frymë të pasigurisë në mesin e popullatës vendore. Në fushën e sigurisë, akoma nuk janë mënjanuar praktikat dhe presionet e thirrjeve joligjore në biseda informative, nga ana e organeve policore njënacionale, kundrejt qytetarëve kryesisht të komunitet shqiptar. Bisedat informative kanë për qëllim krijimin e pasigurisë së përgjithshme te qytetarët, që përballen edhe me problemet e tjera, e rrjedhimisht detyrohen të largohen në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian. Prolongimi i zgjidhjes së këtij problemi shumë të ndjeshëm po krijon gjendjen e pashpresë për shumë të rinj të Luginës së Preshevës që po shndërrohen në azilkërkues potencial.
Edhe në policinë lokale, ku pjesëmarrja e Shqiptarëve ishte përmirësuar pas realizimit të projektit të OSBE – së të policisë multietnike në periudhën 2001 – 2003, nuk është siguruar përgatitja e policëve të rinj për t’i zëvendësuar ata të cilët me pretekste të ndryshme janë larguar nga përbërja e policisë lokale në ndërkohë për këtë arsye në vazhdimësi po përkeqësohet pjesëmarrja e policëve Shqiptarë në strukturat policore në këtë rajon.
Shlyerja nga evidenca civile po zbatohet në radhë të parë ndaj personave të cilët në kushte të luftës prej 1999 – 2001 ishin shpërngulur në Kosovë, të cilëve nuk iu kanë krijuar kushte elementare për kthim, sikurse edhe ndaj personave që kanë arritur të punësohen në Kosovë pas luftës. Shlyerja nga evidenca civile është veprim shumë i rrezikshëm që ndikon drejtpërdrejtë edhe në ndryshimin artificial të strukturës demografike të popullsisë në rajon,pasivizimi i gjendjes civile të qytetarëve shqiptarë, që po merr përmasa alarmante.
Deputeti popullor në parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi i është drejtuar ministrit të policisë së Serbisë rreth pasivizimit të qytetarëve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Kamberi pasivizimin e qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit,e sheh si rrezik për ndryshimin e strukturës etnike të popullatës.

Deputeti Kamberi ministrit të policisë i është drejtuar nga parlamenti i Serbisë. Në vazhdim mund ta ndiqni fjalimin e tij të plotë.

Beograd 10.NOV.2015 19:37

E nderuara kryetare, zonja dhe zotërinj deputetë:
Pyetja ime i dedikohet ministrit të policisë rreth pasivizimit të qytetarëve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Ka një kohë që në Bujanoc dhe Preshevë policia po e realizon një aksion që ka të bëjë me shlyerjen nga evidenca të qytetarëve të këtyre komunave, për të cilët gjoja është vërtetuar se “nuk jetojnë në adresat e paraqitura ose që nuk e kanë paraqitur ndryshimin e adresës së banimit”.

Ky fenomen tanimë ka filluar edhe në Medvegjë, sidomos pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Në këtë komunë, sipas të dhënave të cilat i posedojmë, është duke u realizuar një aksion i gjerë i shlyerjes nga evidence të të gjithë qytetarëve, për të cilët, nëpërmjet një procedure të përshpejtuar policore, konstatohet se nuk jeton në adresën e paraqitur. Ekzistojnë edhe raste kur u refuzohet kërkesa për marrjen e letërnjoftimit njerëzve të cilët vetëm se posedojnë letërnjoftimin biometrik.

Legjislacioni i vendit vendbanimin e sheh si vend në të cilin mund të gëzohen të gjitha të drejtat.

Vendbanimi mund të përcaktohet në bazë të pronës së patundshme, kontratës mbi marrjen me qira ose bazave tjera juridike (si psh, kontratës mbi shfrytëzimin e banesës).

Nëse nuk mund të paraqitet në këtë formë, atëherë mund të paraqitet në adresën e banimit të prindit, bashkëshortit/bashkëshortes ose partnerit/es jashtëmartesorë, në adresën e “vendbanimit të përhershëm” (tek miqtë) ose hapësirat në të cilat personi është vendosur “përgjithmonë”.

Një numër i madh i qytetarëve të komunës së Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, kanë lëshuar vendbanimet e tyre menjëherë pas marrëveshjes së Kumanovës dhe tërheqjes së ushtrisë jugosllave nga Kosova dhe vendosjes së saj brenda Zonës Tokësore të Sigurisë (5km nga kufiri me Kosovën).

Në atë periudhë, llogaritet që 1500 qytetarë nga Presheva, 3000 nga Bujanoci dhe rreth 3000 nga Medvegja, kanë kërkuar strehim të përkohshëm në Kosovë. Një numër i madh i tyre edhe sot janë të vendosur atje përkohësisht.

Me Planin dhe programin për zgjidhjen e konfliktit të armatosur në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë i vitit 2001, Qeveria e atëhershme e R. Serbisë dhe Qeveria Federale, njëri prej obligimeve të marra ka të bëjë edhe me “krijimin e kushteve për kthim të sigurt dhe të rregullt të popullatës së shpërngulur”.

Por, në këtë sferë nuk është arritur asgjë dhe nuk ekzistojnë as kushtet minimale që njerëzit të kthehen, sepse nuk kanë as rrymë.

Pra, bëhet fjalë për një numër të madh të qytetarëve të këtyre komunave ndaj të cilave është ndërmarrë ose pritet të ndërmerret anskioni i shlyerjes nga evidenca, edhe pse bëhet fjalë për njerëz të cilët posedojnë nënshtetësinë e Republikës së Serbisë, kanë patundshmëri në këto komuna dhe paguajnë tatimet e tyre në këtë shtet.

Me refuzimin e dhënies së letërnjoftimeve dhe dokumentacioneve tjera personale ose edhe me shlyerjen nga evidence, policia u pamundëson këtyre qytetarëve që të realizojnë të drejtat e veta elementare. Përveç që i pamundësohet qytetarëve të realizojnë të drejtat e veta të cilat i takojnë në bazë të nënshtetësisë, vështirësitë me të cilat grupi i përmendur i qytetarëve ballafaqohet kur aplikojnë për regjistrimin e vendbanimit, është edhe vështirësimi i realizimit të të drejtës mbi nënshtetësi dhe paraqitje të vendbanimit e fëmijëve të lindur në librin amë kur fëmijët lindin.

Në fakt, që prindërit të munden të regjistrojnë lindjen e fëmisë është e obligueshme që dokumentacionit përkatës t’ja bashkëngjisin edhe certifikatën e lindjes dhe letërnjoftimet e tyre. Dhe nëse prindërit nuk mund të paraqesin vendbanimin, e si pasojë nuk mund te marrin letërnjoftimet, do t’ju pamundësohet që të paraqesin edhe lindjen e fëmijës së tyre. Në këtë mënyrë ata humbin të gjitha të drejtat për fëmijët e vet, drejta këto të cilat i takojnë atyre me ligjet në fuqi.

Me refuzimin e dhënies së letërnjoftimeve këtyre personave, në mënyrë të drejtpërdrejt shkelet neni 2. pika 1. e Ligjit mbi letërnjoftimet i cili thotë “të drejtën për të marr letërnjoftime gëzojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Serbisë”.

Supozohet që në kuadër të këtyre aksioneve që kanë të bëjnë me shlyerjen e qytetarëve ekzistues nga evidenca mund në mënyrë të drejtpërdrejt të ndikohet edhe në ndryshimin artificial të strukturës nacionale në këto komuna.

Përveç gjitha këtyre, do të potencoj një shembull të përafërt i cili ka ndodhur në Slloveni:
Qytetarët e Sllovenisë të cilëve iu kishte marrë statusi i qytetarit në kohën e pavarësimit të këtij shteti, i kanë dorëzuar 645 padi në Gjykatë në Strasburg kundër shtetit Slloven.

Gjykata e Strasburgu në qershor të vitit 2012 ka marrë vendim që Sllovenia me procedurat e marr ndaj “të shlyerve” ka thyer dispozitat e Konventës europiane mbi të drejtat e njeriut, e cila ka të bëjë me respektimin e jetës private dhe publike.

Në procesin “ Kuriç dhe të tjerët kundër Sllovenisë” gjashtë pjesëtarë të grupit të cilët kishin paditur Slloveninë për shlyerje nga regjistri i përhershëm i banorëve në atë shtet, gjykata në Strazbur u ka pranuar të drejtën për kompensimin e dëmeve jomateriale me vlerë prej 20.000 euro për secilin, ndërsa nga Sllovenia ka kërkuar që në afat prej 1 viti të aprovojë propozimin për kompensimin e dëmeve për banorët e tjerë që ishin shlyer nga evidenca.

Në kompensimin e lartpërmendur të drejta do të kishin 25.000 persona të pasivizuar nga regjistri i përhershëm i popullsisë pas pavarësimit të Sllovenisë.

Bazuar në atë që përmenda më sipër, dhe me qëllim që të mos i kontribuohet situatave në të cilat qytetarët do të detyrohen që të drejtat e veta t’i realizojnë nëpërmjet Gjykatës europiane për të drejtat e njeriut në Strazbur, pyetja ime për ministrinë e policisë është:

a) Cili është numri i saktë i qytetarëve të cilat janë shlyer nga evidence, respektivisht, të cilëve iu është refuzuar kërkesa për marrjen e letërnjoftimeve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe

b) Çfarë do të ndërmarrë ministria që, një aksion i këtillë, i cili drejtpërdrejt ndikon në ndryshimin artificial të strukturës nacionale në këto komuna, të ndërpritet?

Faleminderit.
Qeveria e Republikës së Serbisë nuk ka bërë pothuajse asnjë veprim për ta përmirësuar përfaqësimin e qytetarëve të përkatësisë etnike shqiptare në organet shtetërore, sidomos të nivelit rajonal dhe republikan, ku ata mbeten skajshmërisht të nëpërkëmbur dhe të mospërfaqësuar, në shpërputhje jo vetëm me standardet e Bashkimit Evropian, por edhe të vetë Kushtetutës së Republikës së Serbisë dhe legjislacionit përcjellës.
Pavarësisht kësaj gjendje të pakënaqshme e cila ndaj shqiptarëve vazhdon në kontinuitet, e përkundër faktit se Serbia ka hapur shumë kapituj për bisedime me BE-në, brengosëse paraqitet neglizhenca gjithnjë e në rritje e mekanizmave ndërkombëtare kundrejt këtij diskriminimi sistematik shtetëror ndaj shqiptarëve.
Rajoni po hyn në një fazë tejet të ndjeshme politike edhe si rezultat i marrëveshjes së paralajmëruar mes Prishtinës dhe Beogradit, andaj duhet të mbetet jetik kontributi më dinamik i bashkësisë ndërkombëtare në këto komuna.
Vendi i Lekës;01.09.2019

Comments