
Ka dështuar edhe një përpjekje për të zgjedhur kreun e Këshillit Komunal të Tetovës…
I nominuari nga radhët e PDSh-së, Bilalli, mori gjithsej 15 vota nga 19 këshilltarë të pranishëm në seancë, por pas betimit solemn, organet komunale konfirmuan se përzgjedhja e tij është në kundërshtim me ligjin.
Këshilli i Tetovës numëron 31 anëtarë, prandaj edhe nga Besa dhe Aleanca për Shqiptarët deklaruan se 15 vota nuk mjaftojnë për një zgjedhje legale të kryetarit të këshillit, madje akuzuan se njërit anëtar të këshillit ende nuk i është verifikuar mandati.

“Ne këshilltarët e Aleancës me Besë reagojmë ashpër ndaj mospërfilljes nga kryesuesi i këshillit, i cili në mënyrë joligjore dhe me vota të pamjaftueshme shpalli veten kryetar i këshillit si dhe mospërfilljen në kërkimin procedural të fjalës. Citojmë nenin 19 nga rregullorja e Këshillit të Komunës, i cili thotë se për kryetar këshilli zgjidhet kandidat i cili fiton shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të këshillit. Në seancë ishin prezentë 24 anëtarë, kishin 15 vota pro dhe nëntë vota kundër”,- deklaroi këshilltari i Aleancës me Besë, Besar Durmishi.
Adnan Bilalli shprehet se gjithçka ka qenë në rregull dhe i ka votat e duhura, sipas ligjit.
“Vërejtje ka, por ata nuk e morën parasysh se një këshilltari nuk i është verifikuar mandati si këshilltar dhe ai nuk ka të drejtë të votojë sepse po ashtu edhe nuk është prezent në seancë dhe për këtë shkuam me shumicën 15 vota, që është në pajtim me Ligjin për vetëqeverisje lokale”,- tha kandidati për kryetar të Këshillit të Tetovës – PDSh, Adnan Bilalli.
Kjo është iniciativa e dytë e dështuar për të zgjedhur kryetarin e Këshillit në komunën e Tetovës. Këshilltarët e VMRO-së e bojkotuan seancën në shenjë revolte për arrestimin e funksionarëve të partisë së tyre që akuzohen për dhunën e 27 prillit në kuvend.