27 vjet nga beteja e Likoshanit dhe Qirezit

Sot bëhen 27 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë, e cila nisi në fshatrat e Drenicës – Likoshan dhe Qirez, ku te vendi i quajtur “Te tre lisat” u zhvilluan luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe.
Në luftimet e zhvilluara mbetën të vrarë disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat e armikut rrethuan të dy fshatrat, ku ekzekutuan 24 civilë të pafajshëm.
Në rrethimin e fshatrave, armiku përdori artileri të rëndë, duke përfshirë helikopterë dhe shumë mjete të tjera të blinduara, përfshirë edhe tanke, raporton Kp.
Qysh në ditën e parë të luftimeve, armiku kreu masakrat ndaj civilëve, vetëm në familjen Ahmeti vrau 11 persona.
Pas pak ditësh, më 5 mars, ushtria dhe policia serbe rrethuan familjen e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Familja Jashari rezistoi për tri ditë dhe tri netë në luftimet kundër armikut.

Me luftën e Prekazit, tani më çdo gjë ishte e qartë – në Kosovë lufta për liri nuk do të kishte të ndalur.
Gjatë luftimeve deri në çlirimin e vendit, rreth 1 milion shqiptarë u dëbuan nga Kosova, 15.000 u vranë, 2.400 prej tyre ranë dëshmorë.
Forcat serbe kryen shumë masakra, si atë në Abri, Reçak, Meje, e shumë të tjera.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë janë zhdukur rreth 5.000 njerëz dhe ende nuk dihet për fatin e mbi 1600 personave. Mbi 20.000 gra u dhunuan.
Gjatë periudhës kohore mars 1998 – qershor 1999, njësitë kriminale dhe artileria e rendë serbe kanë shkatërruar dhe djegur pjesërisht ose tërësisht rreth 1.100 vendbanime shqiptare, kanë plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 200.000 shtëpi, banesa, lokale afariste, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore e fetare.
Bombardimet e NATO-s filluan më 24 mars të vitit 1999 mbi caqet ushtarake jugosllave. NATO -ja, me përkrahjen tokësore të UÇK-së, detyroi forcat serbe të largohen nga Kosova, dhe atë që njihej si kasapi i Ballkanit – Sllobodan Millosheviqin të nënshkruajë kapitullimin në Kumanovë.