Ramush Haradinaj është i gatshëm për debatin e demarkacionit (Video)
Kryeministri Isa Mustafa edhe gjatë së dielës është marrë me demarkacionin. Ai ka vazhduar me akuza kundrejt opozitës. Mustafa ka thënë se në debatin e 3 gushtit, ata e kanë shansin të dëshmojnë sa hektarë ka humbur Kosova.
Kryeministri ka shkruar se në qoftë se vërtetohet se Kosova i ka humbur hektarët, atëherë për këtë do ta bartin përgjegjësinë ata që e kanë bërë, e nëse nuk ofrohen fakte, përgjegjësia mbetet te ata që deshën ta kallin Kosovën për këtë kauzë.
Pjesë e debatit të 3 gushtit do të jetë edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Në medie u tha se për këtë Haradinaj kishte bërë kërkesë te kreu i Kuvendit, Kadri Veseli. Kërkesa e Haradinajt ishte bërë për faktin se ai ka dorëzuar mandatin e deputetit.
Por, Pal Lekaj, shef i grupit parlamentar të AAK-së, shprehet se Haradinaj ka marrë ftesë për tryezën për demarkacionin, por që nuk ka treguar se nga kush ka marrë një ftesë të tillë.
Thirrja e kësaj tryeze është bërë me propozim të deputetit të LDK-së, Shpejtim Bulliqi, e që është miratuar nga Kryesia e Kuvendit. /TribunaChannel/