Presioni brenda Partisë Demokratike të Kosovës për rikthimin e Fatmir Limajt po rritet nga ora në orë. Zyrtarë, asambleistë, figura të vjetra të partisë e mijëra simpatizantë po kërkojnë hapur që lideri i Nismës të rikthehet në shtëpinë politike ku dikur ishte një nga figurat më të fuqishme.
Thirrjet nuk po vijnë nga kushdo. Ato po dalin pikërisht nga Drenica, zemra politike dhe bastioni historik i PDK-së, duke i dhënë peshë të jashtëzakonshme debatit që ka ndezur skenën politike.
Madje, shumë prej përkrahësve të rikthimit të Limajt po ua kujtojnë strukturave aktuale të partisë se, edhe pas ndarjes nga PDK-ja, Fatmir Limaj kishte bashkëpunuar në koalicion me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.
Një nga zërat më të fuqishëm që ka dalë publikisht në mbështetje të rikthimit është ish-deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku. Ai ka bërë të qartë se, po të varej nga ai, rikthimi i Limajt do të ishte kryer tashmë.
“Miq të dashur, më keni dërguar shumë pyetje lidhur me kthimin e Fatmir Limajt në PDK. Po të varej nga unë, kjo çështje do të ishte e kryer, sepse qëndrimi im ka qenë dhe mbetet PËR. Vendimin e merr Kryesia e PDK-së, por unë do ta mbaj këtë qëndrim edhe në mbledhjen e Kryesisë. Uroj që ta respektojmë vullnetin e elektoratit dhe, bashkërisht, ta fuqizojmë PDK-në”, ka shkruar ish-deputeti në Facebook.
Edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka dalë hapur në mbështetje të Limajt, duke i bërë thirrje direkte Kryesisë së PDK-së që të mos e refuzojë.
“Pres lajm të mirë nga Kryesia e PDK-së e cila nuk do ta përsëris gabimin me votim për Fatmirin”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.
“Një nga ‘argumentet’ negative se Fatmiri na paska sha, do parë më realisht, as na nuk e kemi kursye”.
“Qielli është plot yje, një yll ma shumë, nuk ia zbeh ndriçimin yjeve që po shkëlqejnë!”
Mbështetja e dy figurave të fuqishme nga Drenica po shihet si sinjali më i fortë deri më tani se brenda PDK-së ekziston një frymë serioze për rikthimin e Fatmir Limajt, një zhvillim që mund të trazojë jo pak skenën politike dhe kalkulimet zgjedhore në vend.


