Golashënuesit Në LK, Është Ibraimi I Shkëndijës Që Kryeson Listën [Video]
Besart Ibraimi rezulton të jetë golashënuesi më i mirë në ndeshjet eliminatore të Ligës së Kampionëve pas dy xhirove të para të zhvilluara në këtë kompeticion, njofton “infOSport.mk”.
Bomberi kërçovarë ka realizuar plotë 5 gola, 4 prej të cilëve në ndeshjen e parë të turit të parë ndaj skuadrës uellsiane të TNS.
Megjithatë me siguri se goli i shënuar me 24 korrik në arenën “Filipi i Dytë” ndaj Sherif Tiraspol ishte më i rëndësishmi, duke pasur parasysh se vendosi fatin e kampionëve të Moldavisë, duke i eliminuar ata, pasi në ndeshjen e kthimit në Tiraspol, Shkëndija arriti një barazim pa gola, duke caktuar një përballje në raundin e tretë kundër gjigandëve austriak të Salzburgut.
Pas Ibraimit në listën e golashënuesve, me 4 gola renditet sulmuesi i skuadrës bullgare të Ludogorets, polaku, Jakub Swierczok, teksa pasojnë 4 futbollistë të tjerë me nga tre gola të shënuar, edhe atë Cicilia nga rradhët e Suduva, Edouard nga rradhët e Selltikut, Radonjiç i Crvena Zvezdës dhe Strandberg i skuadrës suedeze të Malmo.
I 7-ti në këtë listë është Arijan Ademi, i cili udhëheq grupin prej 20 futbollistëve që kanë të shënuar nga dy gola.