Ivanov nga Krusheva: Maqedonia nuk është pronë private që ta shesin

368

Shënimit të ditës së Reublikës në Krushevë, nuk i munguan akuzat e presidentit Ivanov….

Shënimit të ditës së Reublikës në Krushevë, nuk i munguan akuzat e presidentit Ivanov. Nga Meçkin Kamen, Ivanov përkujtoi qeverinë se Republika e Maqedonisë nuk është pronë private që dikush të tregëtojë apo ta shesë.

“Republika është e popullit, pasi prej tyre buron suvereniteti. Republika e Maqedonisë nuk është pronë private e dikujt që të tregtojë me të, me atributet dhe vlerat e saj. Republika e Maqedonisë nuk është pronë personale e dikujt që të shesë atë. Republika e Maqedonisë nuk është vend i askujt që gjithkush ta përvetësojë” – tha presidenti i vendit, Gjorge Ivanov.

IVANOV: NUK MJAFTON EMRI, PA REFORMA NUK KA ANTARSËSIM

Presidenti ripërsëriti se Marrëveshja me Greqinë, dëmton identitetin, emrin dhe interesat më të larta shtetërore. Ai akuzoi qeverinë se gënjen kur flet për barazi të të dy subjekteve të marrëveshjes e cila sipas tij, degradon pozicionin e vendit në OKB.

“Është gënjeshtër se nuk shkelet e drejta 74 vjeçare për vetvendosje, përkundrazi me këtë marrëveshje fshihet kontinuiteti shtetëror i popullit maqedonas të ketë shtet të saj, fshihen 27 vite histori. Është gënjeshtër se garantohet anëtarësim në NATO dhe BE. Pa reforma reale, pa luftë kundër korrupsionit, pa luftë kundër elitës dhe klientelës partiake nuk ka anëtarësim. Me pranimin e kësaj marrëveshje e presim degën ku jemi ulur, sepse dikush na bind se do të na rriten krahët. Degradohen të drejtat tona të fituara në OKB. Marrëveshja e sjell Maqedoninë në pozitë të nënshtrimit dhe varshmërisë nga Republika e Greqisë. Greqia fiton të drejtën të përzihet në të mirën e përgjithshme në shtetin tonë” – u shpreh Ivanov.

Ivanov tha se marrëveshja me Greqinë në mënyrë juridike anulon popullin maqedonas ndërsa Qeveria mundohet që të bindë popullin në vetvrasje juridike duke premtuar prosperitet me çmim të identitetit, akuzoi Ivanov nga Krusheva. Fjalimi i tij u shoqerua me duartrokitje nga të pranishmit. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)

Comments