PAÇUKU: PSP TË VËRTETOJ PAFAJËSINË E SOPOTASVE

312

Shkup, 24 nëntor – Pasi muaj më parë Prokuroria Speciale Publike kërkoi ndryshimet e Ligjit për dëshmitarët e mbrojtur, ajo së fundmi ka bërë të ditur se deri tek Prokuroria publike për ndjekjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar edhe zyrtarisht ka kërkuar marrjen e lëndës për rastin e “Sopotit”, shkruan gazeta KOHA. Në kumtesën për media të Prokurorisë Speciale Publike thuhet se më datë 4 nëntor të këtij viti edhe zyrtarisht e kanë kërkuar lëndën e “Sopotit”. Ky vendim i PSP-së është bërë me qëllim të vërtetimit se pikërisht ky rast bie nën kompetenca të Prokurorisë Speciale, pasi rasti në fjalë ishte pjesë e bisedave të përgjuara e që u publikuan një vit më parë nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.  Për avokatin e 11 të akuzuarve nga fshati Sopot i Kumanovës, Vullnet Paçuku, ky vendim i PSP-së është një hapë i mirë drejtë zbardhjes së plotë të rastit dhe vërtetimit të pafajësisë së klientëve të tij. “Shpresoj se lënda do t’i dorëzohet Prokurorisë speciale, e cila ashtu siç kemi dëshmuar ne si palë mbrojtëse se ky proces është i montuar, po ashtu edhe ato ta konfirmojnë një gjë të tillë. Gjatë gjithë seancave që janë mbajtur deri më sot ne me prova materiale e kemi bërë të qartë se ky rast kryekëput është i montuar politikisht”, tha avokati Paçuku për gazetën KOHA. Në procesin gjyqësor për rastin e “Sopotit”, u dënuan 11 shqiptarë me 156 vite burg. Ata u shpallën fajtorë për vendosjen e një mine në vitin 2003, në fshatin Sopot të Kumanovës, ku mbetën të vrarë dy ushtarë polakë të forcave të NATO-s dhe një shoqërues civil. Në shtator të këtij viti, gjykimi për “Sopotin” u prolongua për datë 28 tetor, gjegjësisht ky proces gjyqësor pritet të nisë nga e para, për shkak se nga rasti është tërhequr gjykatësi Jani Nica, cili tash më është emërtuar  si gjykatës në Gjykatën e Apelit. Pala mbrojtëse është në pritje të emërtimit të gjykatësit të ri, i cili do të merret me rastin e “Sopotit”. Aktualisht të akuzuarit të cilët edhe vuajtën në burg u liruan me kusht dhe kohë pas kohe duhet të paraqiten në gjykatë.

Comments