Gjykimi për rastin “Dhuna në komunën Qendër” të PSP-së u zhvillua me prezantimin e disa dëshmive materiale të propozuara nga PSP.
Në fillim të gjykimit, mbrojtja kërkoi nga gjykata të mos i pranojë dëshmitë pasi që, sipas tyre, numri më i madh i tyre kanë qenë pa numër arkivor dhe të verifikuar.
Gjykata propozoi të vazhdohet me gjykimin, ndërsa mbrojtja në seancën e radhës të dorëzojë ankesë. Prokurori publik, Gavrill Bubevski, prezantoi edhe dy audio bisedime.
Në një nga “bombat” e regjistruara më 1 qershor 2013 mes Mile Janakieskit dhe Nikolla Gruevskit dëgjohet se si ish-kryeministri i thotë Janakieskit “të premten kryetarit Zhernovski t’i jepni disa shuplaka”, me ç’rast Janakieski i përgjigjet se planifikon të organizojë edhe protestë.
Po ashtu u dëgjua edhe xhirimi më datën 13.10.2013 mes Orce Kamçevit dhe Mile Janakieskit, ku Kamçev interesohet për gjendjen me planet detajore urbanistike në komunë.
Për dhunën para godinës së komunës më 10 qershor të vitit 2013 janë të akuzuar më shumë persona, mes tyre ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministri i transportit dhe lidhjeve, Mile Janakieski, deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova, dhe ish-këshilltari i komunës së Gazi Babës, Aleksandar Trajkovski, dhe tetë persona të tjerë.
Ata ngarkohen për nxitje të dhunës që ka ndodhur gjatë protestave para komunës në qershor të vitit 2013.
Në gjykimin e deritanishëm për këtë lëndë fajin e kanë pranuar i akuzuari i katërt, Tomisllav Llazarov, dhe i akuzuari i pestë, Jordan Ristevski, të cilët morën dënime me kusht, ndërkaq për të akuzuarin Dimçe Kërstev udhëhiqet procedurë e ndarë.
Gjykimi për këtë rast vazhdon më 6 shkurt.