Rikthehet i ftohti, meteorologët: në fundjavë sërish minus 16 gradë; Reshjet, hidrologët: nuk pritet rritje e nivelit të lumenjve
Nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike paralajmërojnë se prej mbrëmjes së sotme një valë e re e ftohtë pritet ta kaplojë vendin në pjesët perëndimore dhe jugore me reshje të dëborës prej 5 deri në 10 cm.
Reshjet e borës dhe të shiut priten të fillojnë gjatë orëve të mbrëmjes, ndërsa gjatë ditëve të fundjavës temperaturat do të ulen sërish deri në minus 16 gradë celsius.
“Nesër pasdite gradualisht do të zvogëlohen vranësirat që do të sjellin përsëri temperatura të ulëta, sidomos paradite, veçanërisht të premten dhe të shtunën, dhe gjatë ditës së shtunë presim që temperaturat të lëvizin prej minus 16 gradë deri në minus 7 gradë. Temperaturat gjatë ditës nuk do të ndryshojnë shumë dhe do të ketë rritje të temperaturave, duke filluar nga fundjava”,- deklaroi meteorologia, Ivana Petroviq.
Temperaturat e ulëta pamundësojnë edhe shkrirjen e borës së fundit. Edhe pse është lajm jo i mirë për qytetarët, kjo shkrirje graduale nuk lejon që lumenjtë të stërmbushen me ujë e të dalin nga shtrati, por reshjet e borës përmirësojnë ndjeshëm gjendjen hidrologjike në vend.
“Nivelet janë relativisht të ulëta nën mesataren dhe reshjet e mëtutjeshme të cilat priten, nuk do të jenë të bollshme sa të ngrenë nivelin e rrjedhave ujore. Kujdes i veçantë duhet t’i kushtohet liqeneve, për shkak të mundësisë për rritjen e nivelit të ujit”,- theksoi udhëheqësi i hidrologjisë, Vasko Stojov.
Nga Ministria e Bujqësisë thonë se vazhdimisht vëzhgojnë situatën dhe se pastrojnë dhe mirëmbajnë rrjetin e kanaleve ujore dhe kujdesen për pjesën e menaxhimit të akumulatorëve.