ADEMI: BDI nuk po kalkulon me askënd. Synim ka atë që është arritur në Tiranë

280
ADEMI: BDI nuk po kalkulon me askënd. Synim ka atë që është arritur në Tiranë

Dy muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Maqedonia ende s’ka Qeveri të re. Vazhdimisht ka kalkulime të partive politike që rrezikojnë kriza të reja parlamentare dhe qeveritare, duke rrezikuar dhe krizë ndëretnike, por edhe krizë më të thellë mes dy blloqeve më të mëdha maqedonase – kur partia e Gruevskit nuk ndalet të përdorë retorikë të ashpër dhe konfliktuoze. Vonesa në pranimin ose jo të Platformës shqiptare nga ana e LSDM-së po vonon edhe formimin e Qeverisë së re, shkruan gazeta KOHA. As zyrtari më i lartë i BE-së, eurokomisari për fqinjësi të mirë dhe negociata për zgjerim Johanes Han, gjatë dy ditëve në Shkup, nuk arri ti bindë palët për formim të shpejtë të Qeverisë.

Ndërkohë sytë e opinionit këto ditë janë tek përgjigjja e LSDM-së ndaj kërkesave për koalicionim të BDI-së. Nga BDI, pas negociatave intensive që kanë zhvilluar Grupet e punës, thonë se po presin postën se çfarë do ti sjellë partia e Zaevit, ndërsa nga kjo e fundit thonë se BDI do të marrë përgjigje racionale që për synim ka të mirën e përgjithshme, duke respektuar pikë së pari interesat shtetërore.

“BDI është në pritje të postës se çfarë do të na përgjigjet LSDM. Sigurisht që presim të pranohen kushtet tona pas negociatave intensive që kanë zhvilluar Grupet e punës. Pranimi i Platformës shqiptare do përmbyllë Marrëveshjen e Ohrit dhe do të nisë një fazë e re e ndërtimit të shtetit tonë të përbashkët. Në të kundërtën, BDI ka opsione tjera në tavolinë, të kalojë në opozitë apo të shkojmë në zgjedhje të reja”, thotë për KOHA Xhevat Ademi nga BDI.

Në pyetjen se a mund të rrezikojë marrjen e mandatit nga Ivanov nëse bëhet publike marrëveshja për gjuhën shqipe zyrtare, Ademi thotë se Ivanov nuk ka fuqi kushtetuese të stopojë formimin e Qeverisë dhe se Parlamenti është ai që ka fjalën e fundit.

“BDI nuk po kalkulon me askënd, sepse ka synim të realizohet ajo që është arritur në Tiranë mes tre partive politike. E pamë se Nikolla Grueski nuk ishte i gatshëm të pranojë kushtet tona, tani po presim Zaevin. Por nëse do të kemi marrëveshje me LSDM për formimin e Qeverisë, me çka Zaev siguron 61 vota, presidenti Ivanov nuk ka fuqi kushtetuese të stopojë formimin e Qeverisë. Qeveria e re votohet në Parlamenti, pasi ky institucion ka fjalën e fundit për gjithçka”, tha Ademi.

Comments