Biden, vizitë në Serbi dhe Kosovë për të nxitur dialogun mes dy vendeve

201

 

Biden

Vizita e Joe Biden në Serbi dhe Kosovë në turin e tij të fundit në Ballkan si zv. president i Shteteve të Bashkuara pritet të përqendrohet në nxitjen për përparim të dialogut mes dy vendeve.

Nga Sasa Dragojlo

Zv. presidenti amerikan, Joe Biden do të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën në vizitën e tij të fundit të detyrës që mban, më 15 deri 17 gusht, gjatë një turneu të Ballkanit që synon përmirësimin e marrëdhënieve të tensionuara mes dy vendeve . Biden do të takohet me presidentin serb Tomislav Nikoliç dhe kryeministrin Aleksandar Vuçiç dhe pritet që në axhendë të jenë përfshirë edhe vrasjet e pazgjidhura të kohës së luftës nga zyrtarët serbë të tre vëllezërve shtetas amerikanë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi.

Ata u vranë nga policia serbe menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, ndërsa mbaheshin në paraburgim në Petrovo Selo, Serbi. Trupat e tyre u zbuluan në korrik të vitit 2001. Bosko Jaksiç, një gazetar dhe analist politik për të përditshmen Politika, tha për BIRN se marrëveshja e Brukselit mes Serbisë dhe Kosovës është ngadalësuar dhe është bërë joefikase, dhe se Biden po vjen për të çuar gjërat përpara.

«Në Serbi diskutimi i rastit Bytyqi do të jetë një nga temat. Në Prishtinë, pritet që Biden t’i bëjë presion autoriteteve të vënë në lëvizje krijimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë», tha Jaksiç. Sipas marrëveshjes së Brukselit të 25 gushtit 2015, Beogradi dhe Prishtina ranë dakord për ngritjen e një shoqate autonome të komunave serbe në Kosovë, por kjo nuk është zbatuar. Lidhur me rastin Bytyqi, kryeministri Vuçiç ka dështuar t’i përmbahet disa afateve të caktuara nga vetë ai zgjidhjen e çështjes, përfshirë edhe një premtim të bërë direkt te Biden në Uashington në shtator 2015. Fatos Bytyqi, anëtar i mbijetuar i familjes, lëshoi një deklaratë ku kritikoi liderët politikë serbë, duke pretenduar se ata po bëjnë premtime boshe për të fituar pikë politike.

«Sa herë që kanë mundësi, kryeministri Vuçiç dhe udhëheqës të tjerë serbë bëjnë premtime boshe për të zgjidhur vrasjen e vëllezërve të mi… Nuk mund t’i largohemi hidhërimit tonë. Nuk mund të lëvizim përpara me jetët tona. Dhimbja jonë nuk po respektohet. Ajo po përdoret», tha ai. Praveen Madhiraju, përfaqësues ligjor i familjes Bytyqi, e nxiti Biden të ushtrojë presion te kryeministri dhe presidenti serb për të zgjidhur çështjen, duke theksuar lidhjet e tyre të ngushta me të dyshuarin kryesor Goran «Guri» Radosavljeviç. Radosavljeviç mohoi të ketë pasur lidhje me këtë çështje.

«E nxisim zv.presidentin Biden të mos pranojë asgjë më pak se hapa të rëndësishëm përpara në çështjen Bytyqi dhe një shpjegim se pse i dyshuari kryesor, Goran ‹Guri› Radosaljeviç mbetet këshilltari i afërt i kryeministrit Vuçiç dhe presidentitNikoliç», tha Madhiraju. «Nuk duhet të ketë më premtime boshe. Në këto rrethana, liderët e Serbisë nuk duhet të trajtohen si partnerë të besueshëm të çështjeve të sundimit të ligjit», shtoi ai.

Comments