Një shqiptar pritet të jetojë 79.1 vjet, më gjatë se një serb, malazez…
Pas shpërthimit të pandemisë së Covid-19 në 2020, jetëgjatësia e pritshme në lindje ra në shumicën dërrmuese të Shteteve Anëtare të BE-së, që kanë të dhëna të disponueshme për vitin 2020. Uljet më të mëdha u regjistruan në Spanjë dhe Bullgari, ndjekur nga Lituania, Polonia dhe Rumania. Por ku pozicionohet vendi ynë sa i përket jetëgjatësisë sipas EUROSTAT?
Për Shqipërinë të dhënat e fundit të disponueshme, që publikon Instituti Europian i Statistikave janë për vitin 2019. Sipas EUROSTAT, një shqiptar pritet të jetojë 79.1 vjet. Në krahasim me 2013-n, pritshmëria për të jetuar për një të sapolindur është rritur me 1.2 vjet. Një i sapolindur shqiptar pritet të jetojë më gjatë sesa një kroat, polak, malazez, maqedonas, serb, rumun. Jetëgjatësia e pritshme në Shqipëri është 2.2 vjet më e ulët sesa mesatarja e Bashkimit Europian. Nuk ka të dhëna për vitin 2020, se sa e ka ndikuar Covid-19 këtë tregues për Shqipërinë.
Më gjatë në Europë pritet të jetojnë zviceranët dhe spanjollët, me nga 84 vjeç secili. Më pas renditen italianët 83.6, islandezët 83.2, francezët, suedezët, norvegjezët, me rreth 83 vjet. Bullgaria është shteti që ka pritshmërinë më të ulët për te jetuar me 75.1 vjet. Për Italinë, që u godit e para nga Covid
19, pritshmëria për të jetuar u ul me 1.2 vjet në 2020-n, ndërsa rekordin e mban Spanja me -1.6 vjet.