Finlanda dhe Austria të gatshme të jenë nikoqire të samitit Bajden-Putin
Helsinki, 16 prill 2021 (MIA) – Finlanda ka ofruar të jetë nikoqire e samitit të presidentëve amerikanë dhe rus Xhozef Bajden dhe Vladimir Putin, njoftoi sot presidenca finlandeze, ndërsa të njëjtën e ka bërë edhe Austria.
Finlanda, e cila tashmë ishte nikoqire e samitit të ish-presidentit të SHBA-së Donald Tramp dhe Putin në korrik të vitit 2018, i ka thënë Uashingtonit dhe Moskës se është gati të organizojë një takim, që do të jetë takimi i parë midis dy presidentëve, kumtoi Kabineti i presidentit finlandez Sauli Ninisto.
Gjatë një bisede telefonike me Putinin të martën, Bajden ofroi një samit në një vend të tretë në muajt e ardhshëm. Kremlini ka konfirmuar se ftesa ka mbërritur, por ende nuk ka thënë nëse do ta pranojë atë.
Austria gjithashtu ka shprehur dëshirën për të qenë nikoqire e samitit ose takimeve të tjera të nivelit të lartë.
Bisedimet për samitin vijnë në kushte të sanksioneve të reja të SHBA-së ndaj Rusisë. mb/