Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është kthyer nga samiti i NATO-s në Turqi me aeroplanin e vjetër presidencial “Air Force One”, ndërsa aeroplani i ri, i dhuruar nga Katari dhe i modifikuar për përdorim presidencial, fluturoi veçmas drejt Britanisë së Madhe, raporton AP-ja.
Ndryshimi i papritur i avionit ndodhi në një kohë kur tensionet mes SHBA-së dhe Iranit u rritën sërish pas shkëmbimit të sulmeve ushtarake.
Trump tha se kishte zgjedhur të udhëtonte me avionin e vjetër “për hir të kujtimeve”, duke shtuar se të dy aeroplanët bënë një ndalesë në bazën ajrore RAF Mildenhall në Britani, ku u takua me ushtarakë amerikanë të stacionuar atje. Më pas ai hipi në aeroplanin e ri për etapën e fundit të udhëtimit drejt Uashingtonit.
Megjithatë, ndryshimi i avionit ka nxitur diskutime lidhur me sigurinë e avionit të ri presidencial. Sipas raportimeve, avioni Boeing 747-8, i dhuruar nga Katari dhe i përshtatur për përdorim presidencial, nuk është i pajisur me disa nga sistemet e zbulimit dhe kundërmasave ndaj raketave, e të cilat i zotëron aeroplani i vjetër “Air Force One”.
I pyetur nëse vendimi lidhej me kërcënimet nga Irani, Trump nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por deklaroi se ai është “objektivi numër një” i Teheranit.
Shtëpia e Bardhë, përmes zëdhënësit Steven Cheung, theksoi se aeroplani i ri është i pajisur me protokolle të avancuara sigurie dhe se administrata përdor të gjitha mjetet e nevojshme për të garantuar sigurinë e presidentit, përfshirë taktika të shpërqendrimit dhe mashtrimit përballë kërcënimeve të mundshme.
Raportohet gjithashtu se gjatë një pjese të fluturimit me aeroplanin e vjetër ishte çaktivizuar transponderi, një masë sigurie që zakonisht përdoret gjatë udhëtimeve presidenciale në zona me rrezik të lartë.
Forcat Ajrore Amerikane kanë bërë të ditur më herët se aeroplani i dhuruar nga Katari është futur në shërbim si zgjidhje e përkohshme, pasi jo të gjitha modifikimet e planifikuara janë përfunduar. Dy aeroplanët e rinj presidencialë që po ndërtohen për të zëvendësuar flotën aktuale pritet të dorëzohen në vitin 2028.



