Rrahmani i LVV-së: Rezoluta për arsimin e PDK-së ishte më shumë spektakël politik

381

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka thënë se rezoluta për rimëkëmbjen e arsimit nga COVID-19 që është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës në Kuvendin e Kosovës, është më shumë për spektakël politik sesa që kishte diçka përmbajtësore.

Kjo rezolutë nuk ka arritur të miratohet nga deputetët e Kuvendit gjatë seancës së sotme, pasi mori 27 vota për, 50 vota kundër dhe asnjë abstenim.

“Qeveria Kurti ka filluar t’i përmirësojë gabimet e qeverisjeve të kaluara, duke filluar nga ato edhe të PDK-së dhe të gjitha qeverisjet me radhë që e kanë sjell në këtë gjendje arsimin. Mirëpo, duke i shtuar kësaj edhe ndikimin e pandemisë ku ka vazhduar ta sjellë arsimin në një gjendje jo të mirë. Qeveria është duke punuar fortë, që këto të përmirësohen dhe të fillojë një reformim i arsimit në përgjithësi. Ndërsa, për rezolutën e PDK-së, janë rezoluta më shumë që kanë për qëllim spektakle politike aty në Kuvend, sesa që kanë diçka përmbajtësore apo që mund të ndryshojnë diçka”.

“Kur është çështja tek vaksinimi i mësimdhënësve, e keni parë që Ministria e Shëndetësisë ka bërë një plan kombëtar të vaksinimit që është përgjegjësi e atyre që ta bëjnë këtë për shkak se janë profesionist të fushës. As ne, as deputetët dhe as një individ tjetër nuk mund t’i orientojë profesionistët shëndetësorë për atë se cilat kategori duhet të vaksinohen. Rezoluta e PDK-së nuk do të kryente punë, ato janë njëfarë rekomandimi, gjendja sërish do të vazhdonte të ishte e njëjtë në arsim. Debatet që bëhen në Kuvend janë të mira, i inkurajojmë deputetët e opozitës që të vazhdojnë të bëjnë debate të tilla. Mirëpo duhet të jemi konstruktiv, këshillojmë që ato të bëhen në mënyrën më të mirë dhe të mos marrin kahje të populizmit”, ka thënë Rrahmani në Info Magazinë të Klan Kosovës.

Comments