G-7 dhe sfida lidhur me reformën tatimore

540

Ministrat e Financave të 7 vendeve më të industrializura të botës po takohen në Londër për dy ditë bisedime që synojnë arritjen e një marrëveshjeje globale për të rritur taksat ndaj kompanive si Google, Facebook dhe Amazon. Takimi kryesohet nga ministri britanik i Financave Rishi Sunak.

Kjo është hera e parë që ministrat takohen ballë për ballë që nga fillimi i pandemisë.

Kombet e pasura janë përpjekur për vite me rradhë të bien dakord rreth një mënyre për të mbledhur më shumë taksa nga korporatat e mëdha shumëkombëshe, të cilat shpesh sigurojnë përfitime nga vende ku paguajnë pak, ose aspak taksa.

Gatishmëria e Presidentit Joe Biden për të rritur taksat ndaj bizneseve të mëdha ka krijuar tashmë më shumë mundësi për një konsensus ndërkombëtar krahasuar më periudhën kur në Shtëpinë e Bardhë ishte paraardhësi i tij Donald Trump. Nga ana tjetër nevoja për të përmirësuar financat publike të goditura nga COVID-i e bën atë edhe më të ngutshme.

Besoj se mund të bëjmë përparim të rëndësishëm në trajtimin e disa prej sfidave më të ngutshme ekonomike në botë“, u tha zoti Sunak gazetarëve të premten pak përpara fillimit të takimit.

Sfida më e madhe mbetet arritja e një marrëveshjeje mbi reformën tatimore, e cila më pas mund t’i paraqitet një grupi më të gjerë vendesh, atyre të G-20-s, gjatë një takimi në Venecia në muajin korrik.

Në një letër të ministrave të financave të Gjermanisë, Francës dhe Italisë botuar të premten, shkruhej se ata “do të angazhohen për të përcaktuar një pozicion të përbashkët mbi një sistem të ri ndërkombëtar taksash në takimin e Londrës”. Letra është nënshkruar edhe nga ministri spanjoll i financave.

Duke folur në hapje të takimit, zoti Sunak tha se pjesa tjetër e botës pret që ata të arrijnë përparim të domëthënës.

Ne nuk mund të vazhdojmë të mbështetemi në një sistem taksash që u krijua kryesisht në vitet 1920“, tha zoti Sunak.

Megjithatë ministri japonez i Financave Taro Aso tha të hënën (31 maj) se ai nuk priste marrëveshje këtë javë lidhur me një normë minimale të taksës.

Departamenti amerikan i Thesarit pret që një marrëveshje më e plotë të arrihet gjatë takimit të Presidentit amerikan Biden dhe krerëve të qeverive të vende të G-7-s, në datat 11-13 qershor në një zonë në jugperëndim të Anglisë.

Comments