Ngjarje e rëndë në Tiranë, vjehrri vret ish-dhëndrin, plagos edhe ish-prokurorin

353

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në afërsi të Gjykatës së Tiranës, ku vjehrri ka ekzekutuar me armë zjarri ish-dhëndrin e tij 30 minuta para seancës gjyqësore.

Plumbat kanë plagosur edhe ish-prokurorin dhe avokatin, Adriatik Cama, i cili ishte ulur në kafen pranë gjykatës me viktimën, Kudret Saliaj.

Kjo vrasje ka ardhur pas shumë problemesh të ndodhura mes autorit Mexhit Picari, viktimës dhe ish-bashkëshortes së tij, të cilët ishin prej vitesh në proces gjyqësor.

Foto e siguruar ekskluzivisht nga gazetarja Anila Hoxha tregojnë çastin pas krimit të ndodhur në Tiranë.

Autori i cili arriti të largohej pas ekzekutimit, është kapur pas disa minutash nga “forcat blu”, pasi arriti të largohej me një makinë tip “Hyundai”.

Vajza e autorit dhe viktima ishin në proces divorci dhe pikërisht sot çifti kishte seancën e pestë të divorcit, ku do të vendosej se kush do t’i mbante 3 fëmijët, ndërsa paraprakisht rrinin me viktimën.

Një vit më parë viktima sipas burimeve te gazetares Anila Hoxha kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje nga ish-vjehrri.

Gjykata nuk e kishte pranuar kërkesën e tij për një urdhër mbrojtje, ndërsa ndihej ende i kërcënuar nga ish-vjehrri.

Djali i mitur i Kudret Saliajt, i cili mbeti i vdekur mesditën e sotme pranë Gjykatës së Tiranës ka qenë dëshmitari i ngjarjes. Ai ka përjetuar momente tmerri, kur gjyshi i tij i vrau para syve babanë. Sipas dëshmitarëve, djali bërtiste me të madhe “baba baba”, ndërsa është trembur dhe nga lokali ku ishte i ulur bashkë me të atij, avokatin Adriatik Cama dhe punonjësen sociale, është larguar e ka hyrë në Gjykatë.

Bashkë me viktimën dhe avokatin, me ta kanë qenë një punonjëse sociale dhe djali i madh i çiftit pasi ditën e sotme gjykata do të pyeste djalin më të madh të çiftit se me kë do të qëndronte.

Gazetarja Anila Hoxha thotë se viktima është qëlluar nga 8 plumba, ku 5 e kanë kapur atë.

Ndërkohë në një njoftim paraprak të policisë thuhet se ish- prokurori, është jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr edhe ndihmën nga mjekët.

Comments