Ndarja e detit/ Ministri i Jashtëm tregon detaje mbi paktin e ri Shqipëri-Greqi

294

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Denidas, ka shpalosur detaje të reja për mediat greke për çështjen detare me Shqipërinë.

Ai theksoi se Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord tetorin e vitit të shkuar, që mosmarrëveshjet mbi detin t’i zgjidhin duke iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

“Marrëveshja politike për referimin e çështjes së delimitimit të Zonës Ekskluzive Ekonomike midis Greqisë dhe Shqipërisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë është arritur nga tetori i kaluar”, tha ai.

Në lidhje me çështjet teknike të këtij procesi, kryediplomati grek thotë se të dyja shtetet po konsultohen mes tyre për të hartuar një tekst konkret.

“Përsa i përket çështjeve teknike, duhet hartuar dhe kërkesa përkatëse. Organet kompetente të të dy vendeve vijojnë konsultimet për hartimin e këtij teksti”, tha Dendias.

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, në një intervistë që zhvilloi me gazetaren Ilva Tare në Euronews Albania konfirmoi se Shqipëria po përgatit dosjen e saj për t’u përballur me Greqinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, por nuk zgjodhi të specifikonte një afat konkret, se kur mund të marrë zgjidhje përfundimtare çështja e mosmarrëveshjeve mbi detin.

“Në këtë pikë, ajo që palët kanë rënë dakord është që grupet respektive në Shqipëri dhe Greqi, secili të punojë për dosjet e tyre dhe eventualisht të koordinojnë kur çështja të shkojë në Gjykatë. Pala shqiptare po punon për dosjen e saj, ekspertët më të mirë shqiptarë të hartografisë, ata ligjorë mbi të gjithë për precedentët ligjorë që duhen konsideruar, ata në Ministrinë e Jashtme, të Mbrojtjes, po mbledhin të gjithë informacionin për të ngritur atë kazusin tonë, që eventualisht do ta çojmë në Gjykatën e Hagës. Nuk ka një afat, jemi të dyja palët në fazën përgatitore për të mbudhur informacionin e domosdoshëm dhe do të koordinojmë çuarjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës”, tha ajo.

Sa i takon ratifikimit të pakteve me Maqedoninë Veriore, pas marrëveshjes së Prespës, ministri Dendias ka deklaruar se ministria e Jashtme ka dorëzuar dosjen e plotë në parlamentin grek në shtator 2020.

“Këto marrëveshje u paraqitën në Parlament Shtatorin e kaluar. Ministria e Punëve të Jashtme ka përfunduar të gjitha veprimet e nevojshme. I takon Parlamentit të përcaktojë një datë për futjen e ligjit të ratifikimit. Më lejoni t’ju kujtoj se për shkak të pandemisë, kishte dhe ende ka masa konkrete në procesin parlamentar”, tha ministri Dendias për gazetën “Parapolitika”, intervistë të cilën e ka shpërndarë në faqen zyrtare edhe Ministria e Jashmte e Greqisë.

Comments