RMV, vaksinat e dhuruara nga Turqia do të arrijnë në afat prej 7 deri në 10 ditë

338

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe njoftoi se Turqia do t’i dhurojë vendit 30 mijë vaksina Sinovac. Këtë informacion ministri Filipçe e njoftoi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, gjatë vizitës së djeshme në Republikën e Turqisë, transmeton Portalb.mk.

“Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan na njoftoi se do të na dhurojnë 30 mijë vaksina nga prodhuesi Sinovac. Ky gjest i solidaritetit është edhe një tregues i miqësisë dhe bashkëpunimit të sinqertë midis dy vendeve. Falënderim të madh për popullin turk dhe presidentin Erdoğan”, tha Filipçe.

Ndërkohë, kryeministri Zaev tha se këto vaksina duhet të arrijnë në afat prej 7-10 ditësh.

“Kuptohet për shkak të dashurisë së madhe ndaj Maqedonisë edhe e presidentit Erdogan, por edhe e udhëheqësisë së Turqisë mike menjëherë iu përgjigjën kërkesës sonë me 30 mijë vaksina. Përderisa i presim sasitë e reja, këto janë të mirëseardhura për ne”, tha Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, së bashku me ministrin Filipçe, dje morën pjesë në një darkë pune në Stamboll me presidentin Erdoğan, ku u diskutua për marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin dinamik në shumë fusha.

Zaev tha se me presidentin turk, mes tjerash, kanë diskutuar edhe për më së paku 10 investime të reja turke në zonën e Korridorit 10 në Gjevgjeli, përforcim i bashkëpunimit mes armatave të Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë.

Comments