Zaevi i kënaqur: BDI-ja më në fund mbylli agjendën entike

306

Kryeministri, Zoran Zaev është i gëzuar që BDI-ja nga agjenda etnike kaloi në agjendë qytetare. Sipas Zaevit është koha t’i jepet fund ndarjes së qytetarëve në baza etnike dhe të punohet bashkërisht për to përmes Agjendës së gjelbër, për çka sipas Zaevit, po angazhohet edhe Qeveria.

“Më vjen mirë që mund sot të komentoj, se partia më e madhe shqiptare rrumbullakon agjendën etnike dhe se sot më flasim për qytetarët. Mjaftë ishte shqiptarë, maqedonas, serbë, vllehë, në shtet ka qytetarë! Dua ta përshëndes këtë, sepse është vërtetë hapërim dhe veçanërisht kur vjen nga partia qeverisëse nga blloku politik shqiptar. Njëkohësisht i njohët edhe politikat e Agjendës së gjelbër të Qeverisë. Sistemet fotovoltaike, centralet me erë janë pjesë e politikave për të cilët realisht jemi të preokupuar si LSDM, BDI, BESA, PDSH dhe partitë tjera turke e bosnjake, të gjithë që jemi pjesë e koalicionit” – tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Partia opozitare, Alternativa vlerëson se BDI-ja përmes ngjyrës së gjelbër po mundohet ta mbulojë të zezën që iu ka bërë shqiptarëve gjatë gjithë kësaj kohe sa ka qenë në pushtet. Sipas deputetit, Skender Rexhepi duke qenë aq larg barazisë etnike, është fatkeqësi të flitet për koncept qytetar.

“Do t’i kisha rekomanduar kryetarit të BDI-së bashkë me kryeministrin, të cilët pretendojnë se janë mbyllur çështjet etnike që të bëhen bashkë dhe të fillojnë t’i vizitojnë së pari burgjet dhe të shohin se sa njerëz janë të pafajshëm atje. Pastaj t’i vizitojnë vendbanimet shqiptare nga Likova e deri në Dollnen dhe të shohin se në çfarë gjendje të mjerueshme jetojnë shqiptarët, sepse kryeministri siç duket çdo herë kur flet për mirëqenie i mendon vetëm vendbanimet maqedonase. (1:02-1:07) Papjekuria e BDI-së mundohet që gjithë atë dështim të zi ta mbulojë me një ngjyrë të gjelbër që është fatkeqësi.”

Për opozitën maqedonase Agjenda e gjelbër është manipulim i radhës parazgjedhor. Zëdhënësi i VMDO DPMNE-së, Naum Sotilkovski ironizon.

“Ky është edhe një manipulim parazgjedhor i regjimit në fuqi, manipulim për vjedhje të mëtejme të jetës në Maqedoni. Me gjasë, tani e tutje, BDI do ta pengojë Merkon t’i vozisë veturat më të shtrenjta zyrtare në Maqedoni dhe do ta hypë në trotinet elektrik. Mbase BDI do ta urdhërojë këshilltarin në Ohër, që ka më së shumti ndërtime pa leje, të njëjtat t’i ndërtojë në mënyrë ekologjike.”

Një ditë më parë, kreu i BDI-së Ali Ahmeti shpalli Agjendën e Gjelbër si mënyrë të re të politikëbërjes së kësaj partie. Ahmeti tha se pas realizimit të synimeve të mëdha, si barazia etnike, anëtarësimi i vendit në NATO dhe marrja e dritës jeshile për negociata me BE-në, është koha që kjo parti të punojë për ambient të pastër jetësor.

Comments