A ka BDI fuqi për të ndaluar rrokaqiejt në Qendër?

351

Me surprizën e gjelbër BDI bëri të ditur se tani e tutje në agjendën e tyre prioritet do të jetë ruajtja e ambientit.

Po çfarë do të bëjnë integristët, për temat më urgjente të kohëve të fundit, e që kanë lidhje me mjedisin.

Një prej tyre është edhe projekti me rrokaqiejt përballë hotelit “Holidej Inn”.  Organizata ambientaliste dhe qytetarë të shumë kanë kërkuar pezullimin e këtij kompleksi, por a do të ketë BDI fuqi për të ndalur një ndërtim të tillë mu në zemër të Shkupit!?

Këtu pas meje parashihet që të ndërtohen ndërtesa të larta shumëkatëshe, ndoshta në pjesën e vetme të qytetit të Shkupit ku nuk ka ndërtesa. Pasi që dje BDI promovoi idenë e tyre agjenda e gjelbër, a do të bëjnë diçka që të ndalojnë ndërtimet në këtë zonë, pasi që diku rreth 8 mijë qytetarë kanë nënshkruar peticion për të treguar se janë kundër ndërtimit dhe kërkojnë hapësirë të gjelbër.

TV21 pyeti në BDI, por nga atje nuk morëm përgjigje.

Në përvjetorin e 19-të të partisë Ahmeti paralajmëroi agjendën e gjelbër pasi vlerësoi se ka përmbushur premtimet e mëdha si barazia etnike, anëtarësimi i vendit në NATO dhe marrja e dritës jeshile për fillim të negociatave me BE-në.

“Pas miratimit të pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimit të përditshëm të saj, reformave thelbësore, anëtarësimit në NATO dhe vulosjes së të ardhmes Evropiane, ka ardhur koha që Bashkimi Demokratik për Integrim të fokusohet tërësisht në cilësinë e të jetuarit”, tha Ali Ahmeti – Kryetar i BDI-së.

E kryeministri Zaev shprehet i kënaqur që lideri i BDI-së Ahmeti nuk po bën më fushatë në baza etnike.

“Më vjen mirë që sot mund ta komentoj se partia më e madhe shqiptare e rrumbullaksoi-përmbylli agjendën etnike dhe prej tani flasim për qytetarët. Mjaftueshëm kemi folur për shqiptarët, maqedonasit, serbët, vllehtë sepse tek e fundit kemi qytetarë në vend. Dua ta përshëndes këtë sepse është një hap serioz sidomos kur vjen nga partia më e madhe shqiptare”, u shpreh kryeministri Zoran Zaev.

Ndryshe deponi të egra gjenden pothuajse në çdo komunë me të cilën udhëheqin kuadro të BDI-së, si në Tetovë, Likovë, Strugë e kështu më radhe, por Ahmeti tha se ky nuk është vetëm faj i institucioneve por edhe i joni (qytetarëve). Edhe në nivel qendror BDI që nga viti 2008 ka udhëhequr me ministrinë e Ekologjisë me Nexhati Jakupin, Abdylaqim Ademin, Nurhan Izairin, Bashkim Ametin, Sadulla Durakun, ndërsa aktualisht udhëheq Naser Nuredini.

Comments