Policia jep detaje nga aksidenti tragjik në Koshare të Ferizajt
Katër persona, njëri prej tyre i moshës 12-vjeç, kanë humbur jetën dhe tre persona të tjerë kanë marrë lëndime sipas informacioneve më të reja zyrtare të Policisë së Kosovës mbi aksidentin e sotëm tragjik në Koshare të Ferizajt.
Në aksident, i cili ka ndodhur në orën 15:37, kishin qenë të përfshira dy automjete civile të udhëtarëve.
Deri tek aksidenti dyshohet të ketë ardhur, kur automjeti i udhëtarëve Audi me targa vendore, e drejtuar nga E.M. 22-vjeç, po qarkullonte nga drejtimi i Ferizajt drejt Shtimes dhe me të arritur në Koshare, për shkaqe ende të panjohura, kalon në anën tjetër të lëvizjes dhe ndeshet me automjetin VW Golf me targa vendore, i cili po qarkullonte në drejtimin e kundërt.
Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën 4 persona të cilët ishin në automjetin VW Golf : N.R. 39-vjeçar – drejtues i automjetit, XH.R., 60-vjeçare, S.R. 32-vjeçare dhe Y.R., 12-vjeçar.
Personat e lënduar janë I.R., 32-vjeçe, e cila është dërguar për tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë, dhe e cila ishte pasagjere në automjetin VW Golf, Y.H., 21-vjeç dhe L.H. 21-vjeç, pasagjerë në automjetin Audi, dhe të njëjtit, pasi kanë marrë tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj, janë liruar.
Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor – Ferizaj ka marrë të gjitha masat e nevojshme për hetimin e rastit, në koordinim edhe me Prokurorin e Shtetit nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, i cili ka dalë në vendin e aksidentit.
Me vendim të tij, trupat e pajetë dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa i dyshuari, drejtuesi i automjetit Audi, E.M, ndalohet në mbajtje për 48 orë.