Pas vendimit për burgim të përjetshëm të Ratko Mlladiqit, reagojnë liderët botëror
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se verdikti final i gjykatës ndërkombëtare në Hagë në rastin e Ratko Mlladiqit, është edhe një hap tjetër i rëndësishëm që sipas tij do të sjell drejtësi për viktimat, transmeton Telegrafi.
“Kjo do të ndihmojë që e kaluara e dhimbshme të lihet pas nesh dhe që e ardhmja të jetë në rend të parë”, ka shkruar Michel në profilin e tij në Twitter.
Në anën tjetër, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka porositur se Bashkimi Evropian pret që të gjithë akterët politikë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Ballkanin Perëndimor, të tregojnë gatishmëri për bashkëpunim të plotë me gjykatat ndërkombëtare – të respektojnë vendime e tyre dhe të njohin pavarësinë dhe paanshmërinë.
“Vendimi i sotëm është një mundësi që liderët në Bosnjë dhe rajon, të nderojnë viktimat dhe të promovojnë pajtimin për të tejkaluar luftën dhe të ndërtojnë paqen”, thuhet ndër tjera në kumtesën e zëdhënësit të BE-së.
Lidhur me verdikin e Hagës, ka reaguar edhe Kathryne Bomberger, drejtoresha e komisionit Ndërkombëtar për personat e zhdukur (ICMP), e cila tha se vendimi i sotëm i gjykatës ndërkombëtare, paraqet një konfirmim të sundimit të ligjit.
“Ata që kanë vrarë civilë të paarmatosur dhe ata që kanë krijuar kushtet për krime të tillë – e kanë gjykuar gabimisht se mund të zhdukin mbetjet e viktimave të tyre”, ka shtuar Bomberger.