Prizren, paraburgim për të dyshuarin për bashkësi jashtëmartesore me një 16-vjeçare

536

Gjykata e Prizrenit ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh për të pandehurin L.B. i cili po dyshohet për veprat penale – bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën 16-vjeç dhe lëndim i lehtë trupor.

Tutje në njoftim thuhet se i pandehuri i moshës madhore dyshohet se nga janari i vitit 2021 e deri më 7 qershor, bashkëjeton me personin e mitur e cila është mes 14 e 16-vjeçare.

Kurse më 5 qershor, i pandehuri L.B., pas një mosmarrëveshjeje paraprake i shkakton lëndime të lehta trupore të miturës pasi e mitura kërkon që të ndahet nga i pandehuri.

“Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh peshën e veprave penale, sepse nga përshkrimi i rastit ku i pandehuri përveç se në mënyrë të kundërligjshme ka jetuar me të miturën i njëjti edhe e ka sulmuar fizikisht duke i shkaktuar edhe lëndime trupore.” thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. Ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.

Comments