OSMANI NGA ESTONIA: S’PRANOJMË NDRYSHIM TË KUFIJVE
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të enjten se Kosova ka synime të qarta në dialog dhe në asnjë mënyrë nuk do të pranojë lëvizje të kufijve të saj.
Në prag të rifillimit të bisedimeve me Serbinë, Osmani u shpreh se kjo fazë e dialogut është një kapitull i ri për Kosovën.
Këto deklarata presidentja i bëri në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid.
“Kosova është e vendosur që të vazhdojë dialogun dhe ne kemi vazhduar të bashkëpunojmë me vendet fqinje, përfshirë Serbinë, e cila ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në rajon. Kjo fazë e dialogut është një kapitull i ri për Kosovën, por ne kemi linja të kuqë se çfarë nuk do të vihet në diskutim”, tha Osmani.
Ajo më tej falënderoi Estoninë për mbështetjen që e dhënë ndaj Kosovës në rrugën e saj për integrimin evropian.
Presidentja Osmani theksoi se Kosova nuk ka opsione të tjera pos ndjekjes së kulturave atlantike dhe evropiane.
“Kosova për liberalizimin e vizave i ka plotësuar dyfishin e kritereve të kërkuara. Nuk kemi opsione të tjera pos bashkimit me kulturat atlantike, nuk kemi alternativë tjetër. Populli i Kosovës ka zgjedhur t’iu bashkohet strukturave të BE-së dhe
NATO-s. Në rajonin tonë ka ndikim rus, ne jemi të vendosur ta luftojmë këtë ndikim me partnerët tanë do të ndjekim rrugën e demokracisë dhe ligjit”.