Deklarata e presidentit Biden për Ballkanin, përplasja e Kurtit me kryeministren e Serbisë dhe seanca për dialogun

390

Javën që lamë pas janë shënuar një mori ngjarjesh të cilat kanë nxitur reagime në vend. Reagime ka nxitur edhe lajmi se presidenti amerikan Joe Biden ka lëshuar një urdhër për bllokimin e pronës së personave që kërcënojnë përpjekjet stabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

Po javën që po lëmë pas kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marr pjesë në Samitin me liderët e Ballkanit që u mbajt në Tiranë, ndërsa ka folur edhe për përplasjen që ka pasur me kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiq.

Po ashtu, javën që po e lëmë është mbajtur liturgji në kishën e ashtuquajtur të “Krishtit Shpëtimtar”, e cila ndodhet brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës në kryeqytet, objekt ky i kontestuar tash e sa kohë.

Të premten është mbajtur edhe seanca e Kuvendit të Kosovës për dialogun me Serbinë, ku pati replika pozitë-opozitë. “Bllokim prone dhe ndalim i hyrjes në SHBA për personat që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor”- tha Biden.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka zgjeruar fushëveprimin e aktit për bllokimin e pronës së personave që kërcënojnë përpjekjet stabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

Ky urdhër përfshin ish-vendet e ish- Republikës së Jugosllavisë dhe Shqipërinë. Sipas Biden gjatë dy dekadave të fundit ka pasur minim të marrëveshjeve, institucioneve, korrupsion brenda qeverive dhe institucioneve që kërcënon sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA.

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, duke postuar urdhrin e Presidentit Biden, ka shkruar në Twitter se lufta ndaj korrupsionit është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të SHBA.

Duke qenë se situata në territorin e ish Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë dhe Republikës së Shqipërisë (Ballkani Perëndimor), gjatë dy dekadave të fundit, duke përfshirë minimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës pas prishjes së ish Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë, si dhe korrupsionit të përhapur brenda qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Ballkanin Perendimor, pengon progresin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike, dhe në këtë mënyrë përbën një kërcënim i pazakontë për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”, thuhet ndër të tjera në urdhrin e firmosur nga Biden.

Kurti flet për përplasjen me Brnabiqin në Tiranë: Serbia vazhdon të mos e pranojë që Kosova është e pavarur dhe sovrane

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me liderët e Ballkanit në Tiranë u shpreh se Serbia duhet të shkëputet dhe të distancohet nga regjimi i Millosheviqit duke qenë se nuk ka zgjidhje tjetër veçse të njohë pavarësinë e Kosovës.

 

Comments