Provimi i matematikës nxjerr sërish maturantët në rrugë, vazhdon protesta para Ministrisë së Arsimit

442

Maturantët, të cilët janë shprehur se provimi i matematikës këtë vit ishte shumë i vështirë, kanë dalë sot në ditën e dytë të protestës.

Ata janë mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit duke bllokuar kështu edhe Rrugën e Durrësit ku po devijohet lëvizja e mjeteve.

Maturantët pretendojnë se provimi i matematikës ishte i vështirë dhe  i pabazuar në ato që ata janë përgatitur dhe kërkojnë uljen e pragut të pikëve.

Sakaq, protesta është duke u zhvilluar në disa qytetet, ku kërkesat janë të njëjta.

Kujtojmë që një ditë më parë, Qendra e Shërbimeve Arsimore në një deklaratë për mediat, sqaroi se teza e provimit ishte

e një niveli mesatar dhe se nxënësit e 8, 9 dhe 10 nuk kishin pse të hasnin vështirësi sepse ushtrimet janë bërë nga mësuesit gjatë orëve të mësimit.

“Nxënësit e mirë nuk kanë pasur vështirësi. Pjesën tjetër mund ta zgjidhnin me studim shenje, me grafik apo pikë provë. Nga korrigjimi do shohim se si kanë reaguar në këto teste. Pyetja me ekuacionin e drejtëzës ka ushtrime të tilla pa fund. Teza është e nivelit mesatar, nuk ka asnjë jashtë programit.

S’ka asnjë gabim shkencor. Sa i përket asaj që thonë; e përkthyer. Tekstet janë të përkthyera. Polinomet janë ato që janë, nuk është çështje kopjimi dhe nuk janë të nivelit të Cambridge. Pasi kanë parë skemën e provimit do jenë qetësuar. Pastaj nxënës që kanë hyrë me mendimin që; ‘unë do kopjoj’, kjo është gjë tjetër. Aty ka pasur ushtrime të nivelit edhe për nxënësit mesatar”, tha përfaqësuesja e QSHA-së.

Ndërkohë, drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore tha se do të shihen të gjitha pyetjet dhe do të bëhet një analizë në bazë të rezultatit të nxënësve.

“Ne kemi një praktikë që nëse në fund të korrigjimit, kur të mbledhim rezultatet, pa u shpallur ato, ne bëjmë verifikim të testit. Nëse na rezulton që në pyetje mund të ketë kaluar pritshmëritë tona, atë herë në këto momente do të bëjmë verifikimin e saj dhe do të shohim vendimin nëse do ju jepet si pikë. Kjo është për të gjitha lëndët, edhe për ato me zgjedhje. Nëse identifikojmë një pyetje të tillë, s’do të penalizojmë asnjë nga maturantët. Ne nuk themi se; ‘kjo do të jetë detyrimisht kështu!’”, tha Rezana Vrapi.

 

Comments