Kosova dhe Serbia nuk pajtohen për asgjë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut, por palët nuk u morën vesh për temat e ngritura.
Ky ka qenë takimi i parë i tyre në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Raundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sa më shpejt që arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, aq më lehtë do të jetë, pasi ai theksoi se pa njohje të ndërsjellë, asnjëra palë nuk do të mund të anëtarësohet në BE.
“Unë theksova se në kuadër të mandatit të zotit Borrell dhe në kuadër të mandatit të presidentit Biden do të duhej të bëhej marrëveshja, mirëpo sa më herët që bëhet aq më kollaj është”, tha Kurti për gazetarët pas takimit në Bruksel.
Ai pranoi se për arritjen e një marrëveshjeje të tillë nuk do të jetë e lehtë, por tha se nuk “është pesimist” pasi “tashmë po i trajtojmë gjërat në thelbin e tyre, e nuk po përpiqemi ta evitojmë elefantin në dhomë. Kjo është se presidenti (i SHBA-së, Joe) Biden ka kërkuar njohje të ndërsjellë me qenë se aktualisht kemi mosnjohje të ndërsjellë”.
Ndërkaq sa i përket takimit me Vuçiqin, tha se ka prezantuar katër ide të reja, ku njëra ndër to ishte edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje të paqes, ku Kosova dhe Serbia do të zotoheshin që nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën dhe “në këtë mënyrë t’i kontribuojmë paqes dhe sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë”.
Po ashtu, Kurti tha se gjatë takimi ka ngritur edhe çështjen e personave të pagjetur, që sipas tij, është çështje “që nuk pret”.
“Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte ‘naçelnik (shefi) i qarkut të Kosovës’, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq”, ka thënë Kurti.
“Nuk duket që ka gatishmëri (nga Serbia) për t’u marrë me njerëzit përgjegjës të asaj kohe, të cilët, fatkeqësisht, janë edhe në pozita shtetërore. Pra, nuk bëhet fjalë për njerëz që janë bërë deputetë me votat e qytetarëve, por për njerëz të emëruar nga pushteti i atjeshëm, në ato pozita që i kanë”, ka shtuar ai.
Kryeministri i Kosovës po ashtu tha se ka propozuar që të pas njohjes së ndërsjellë, sa i përket pakicave, të aplikohet parimi i reciprocitetit bilateral, duke u krijuar në Kosovë Këshill nacional për serbët, ashtu siç e kanë shqiptarët që jetojnë në Serbi.
Po ashtu ai ka prezantuar edhe një ide për ridizajnimin e marrëveshjes së CEFA-s, por sipas tij tri propozimet janë refuzuar nga delegacioni i Serbisë, ndërkaq për CEFTA-n nuk kanë marrë përgjigje.
Vuçiq: Nuk u pajtuam absolutisht për asgjë
Ndërkaq, pas takimit, presidenti i Serbisë, Vuçiq ka thënë se nuk ka rënë dakord me Kurtin “absolutisht për asgjë”.
Vuçiq ka thënë po ashtu se Kurti e pyeti se a do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Njeriu erdhi që të mos pajtohej për asgjë. Njeriu erdhi që të thotë ‘erdha të të pyes se kur do ta pranosh pavarësinë e Kosovës’. Përgjigja ime ishte kurrë. Pastaj ai shpërtheu”, theksoi Vuçiq.
Presidenti serb ka thënë se pala e Kosovës nuk dëshiron të plotësojë marrëveshjet që kanë nënshkruar.
“Pra, nuk dëshirojnë fare të bisedojnë për Asociacionin e Kosovës. Së dyti, ata kërkuan me urgjencë dhe menjëherë të dëgjojnë se kur do ta pranojmë Kosovën e pavarur dhe së treti, ata i quajnë incidente dhe provokime faktin që serbët dëshirojnë të marrin pjesë në liturgjitë në kishat e tyre, sepse tokat për ato kisha janë dhënë mbase në kohën e pushtetit të Slobodan Milosheviqit”, ka thënë Vuçiq.
Ai shtoi se me palën e Kosovës kanë biseduar për çështjen e të pagjeturve, për parimet dhe për atë se sa është e rëndësishme që të zbulohen vendet ku janë varrosur, civilët shqiptarë ose ata serbë. Ai tha se i ka ofruar palës së Kosovës që gjithmonë nëse kanë dyshime se ku mund të ketë çfarëdo varreze, ato të hapen dhe t’i tregohet opinionit. Por, sipas tij, në këtë pikë ka pasur përplasje verbale me palën e Kosovës.
“Më pas na thanë se kjo nuk mund të bëhet. Pse nuk mund të bëhet? Për shkak se në krye të komisionit është Veljko Odaloviq dhe se sipas tyre ai është Geringu dhe Gebelsi. Atëherë unë i thash që më tepër ai i ngjanë Gebelsit sesa Veljko Odaloviq. Por, të jem sinqertë, e gjithë kjo që e thash është në formën më të zbutur se sa që ka qenë me të vërtetë. Nuk pash kurrfarë qasje racionale dhe asgjë tjetër”, tha Vuçiq.
Ky takim u ndërmjetësua nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Lajçak: Takimi nuk ishte i lehtë
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se takimi i së martës në mes të kryeministritKurti dhe presidentit Vuçq nuk ka qenë i lehtë, mirëpo është e rëndësishme që ka ndodhur.
Ai ka deklaruar se procesi i dialogut do të vazhdojë para fundit të korrikut.
“Të dy liderët kanë pasur deklarata të sinqerta rreth asaj se çfarë duan palët nga dialogu. Për Bashkimin Evropian është e rëndësishme që të dy liderët konfirmuan se nuk ka rrugë tjetër përveç normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lajçak pas takimit.
Sipas tij, si Kurti, ashtu edhe Vuçiq janë pajtuar për normalizim të marrëdhënieve përmes dialogut.
Sipas Lajçakut, blloku evropian, bashkë me popullin e Kosovës dhe atë të Serbisë, kanë pritshmëri të larta nga të dy liderët, që të tejkalojnë trashëgiminë e së kalurës dhe ta shtyjnë Kosovën dhe Serbinë drejt të ardhmes evropiane.
Borrell: Kosova dhe Serbia ta shfrytëzojnë momentumin e ri
Para takimit trepalësh, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka thënë se është i vetëdijshëm që procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë i lehtë, mirëpo angazhimi i të dyja palëve është i domosdoshëm për popujt e dy vendeve.
Borrell ka thënë se gëzohet që takimi po zhvillohet në kohën e njëjtë kur Bashkimi Evropian takohet me presidentin amerikan, Joe Biden.