Kurti: Para Vuçiqit dhamë katër propozime, tre u refuzuan

385

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka informuar se në takimin e sotëm me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq të mbajtur në selinë e BE-së në Bruksel ka dhënë katër propozime ku tre janë refuzuar, ndërsa për një nuk ka marrë përgjigje.

Siç ka shkruar Kurti në ueb faqen e tij zyrtare në Fejsbuk, ai në takimin me Vuçiqin ka shprehur gatishmërinë për udhëheqjen e dialogut që do të rezultojë me njohjen reciproke të dy vendeve.

Nuk u pajtuam për agjendën e dialogut të ardhshëm. Unë bëra katër propozime në këtë takim, ka shkruar Kurti që sipas tij janë:

-Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.

-Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.

– Pas njohjes së ndërsjellë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.

-Për çështjen e të pagjeturve, të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “shef i qarkut të Kosovës” dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me Zoran Angjelkoviq.

Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, Vuçiq dhe Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve”, ka theksuar Kurti.

Refuzimi i propozimeve, sipas Kurtit, nënkupton se nuk është arritur marrëveshje për agjendën në takimin e ardhshëm me përfaqësues serb që siç paralajmëroi ai, “do të mbahet në fund të muajit korrik”.

Comments