Maqedoni: Pronarët e restoranteve të dasmave kërkojnë protokolle edhe për ambientet brenda lokaleve

335

Mos hartimi i protokolleve për organizimin e dasmave brenda restoranteve ka shkaktuar revoltë te pronarët e objekteve hotelerike të Maqedonisë Perëndimore. Ata ankohen se humbjet e tyre janë të mëdha. 90 për qind e restoranteve nuk kane tarraca dhe sipas tyre rrezikojnë të mos mbijetojnë sezonin. Fitim Tairi, nga Shoqata HUREKA, thotë se as takimet me zyrtarët e as protestat s’kanë dhënë rezultate.

“Kemi bë një vit e gjysmë që luftojmë për të drejtë pune , pra duhet kushte minimale të na ofrohet një protokoll minimal që të kemi të drejtë të fillojmë me punë. Jemi shumë lokale, dhe pjesa dërmuese nuk kanë tarraca, kërkesa jonë konkrete është që sa më shpejtë të bëhet një protokoll për të punuar në ambientet e mbyllura. Takime kemi në gjithnjë por nuk kemi pasur sukses, pra gjithnjë kemi qenë të anashkaluar nga ana e institucioneve”, tha Fitim Tairi, Shoqata e hotelierëve “HUREKA”.

Pronarët e restoranteve të dasmave thonë se, nëse Qeveria vazhdon me këtë heshtje, mijëra punëtorë do lëshohen nga puna.

“Ne apelojmë që të merren masa sa më shpejtë sepse mijëra punëtorë do të mbesin pa punë nëse vazhdon kështu. Nuk kemi kushte neve ndryshe se 90 për qind s`kanë kushte për ambientet e hapura. Apelojmë Qeverinë sa më shpejtë të marrin masa”, deklaroi Naser Havzia, pronar restoranti.

Përndryshe, në Pollog ka më shumë se 70 restorante të dasmave ku kanë të angazhuar mbi 2000 punëtorë të rregullt dhe një numër i konsiderueshëm i punëtorëve sezonal, të cilët rrezikojnë që të largohen nga puna si rezultat i mbylljes së këtyre restoranteve. Muajin e fundit, në pamundësi për organizimin e dasmave në ambiente të mbyllura, shumica e dasmorëve preferojnë që ahengjet e tyre familjare, ti realizojnë në Kosovë dhe Shqipëri.

Comments