Hyn në lojë dhe Austria, mblidhen në Vjenë liderët e Ballkanit Perëndimor!

456

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka mbledhur në Vjenë në një samit të kryesuar prej tij krerë të Ballkanit Perëndimor.

Kosova përfaqësohet atje nga kryeministri Albin Kurti, Shqipëria nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, Serbia nga kryeministrja Ana Bërnabic, Bosnja nga kryesuesi i Këshillit të Ministrave, Zoran Tegeltija, Maqedonia e Veriut nga kryeministri Zoran Zaev dhe Mali i Zi nga kryeministri Zdravko Krivokapic, thotë REL.

Në samit po merr pjesë edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak. Nga sa pohoi vetë shefi i ekzekutivit austriak, në samit do të garantohen vendet e rajonit se do të kenë mbështetje të plotë për reformat në rrugën drejt BE-së si dhe për luftën kundër pandemisë së koronavirusit.

Do të flitet gjithashtu edhe për luftën e përbashkët kundër emigracionit të paligjshëm, shkroi Kurz në Twitter. Vetëm pak ditë më parë, përfundoi në Bruksel samiti i vendeve anëtare të NATO-s, i pari me prani fizike që nga viti 2018 për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Aty u theksua veç të tjerash se Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n e cila mbetet e përkushtuar fuqishëm ndaj aspiratave euro-atlantike të vendeve të rajonit dhe do të shtojë përpjekjet për të zgjeruar dialogun politik dhe bashkëpunimin praktik në mënyrë që të mbështeten reformat, e të promovohet paqja dhe siguria rajonale.

Top Channel

Comments