Zaev e Balluku takohen në Vjenë, bisedojnë për Korridorin 8
Në Vjenë, ku morën pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, kryeministri Zaev ka takuar ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balluku bëri të ditur se diskutoi me kryeministrin Zaev sa i takon projektit të Korridorit 8, të cilin Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë e cilëson si projektin më ambicioz mes dy vendeve. “Gjatë takimit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor, zhvilluar në Vjenë, pata mundësinë për të diskutuar nga afër bashkëpunimin tonë rajonal me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Jetësimi i korridorit të VIII është projekti më ambicioz mes vendeve tona dhe ne kemi një plan të qartë për zbatimin e tij”, shkruan Balluku. Projekti i Korridorit VIII është një projekt i cili do të lehtësojë lëvizjen e pasagjerëve dhe të mallrave në rajon duke ndërlidhur kështu më tepër vendet mes tyre.