Pendarovski: Të zhbllokohet integrimi i Ballkanit në BE

401

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Pendarovski në fjalimin e mbajtur në Forumin e Diplomacisë të Antalya-s theksoi se integrimi evropian ka ngecur për vite me radhë. Gjithsesi Pendarovski tha se i gjithë faji nuk është në Bruksel, por edhe tek politikanët e rajonit.

“Katër vende po presin fillimin e bisedimeve me BE-në. Jam duke folur për Maqedoninë e Veriut dhe Republikën e Shqipërisë, ne jemi kandidatë për 16,5 vjet që nga viti 2005 dhe ne ende jemi duke pritur për t’i filluar bisedimet. Jo për t’i mbaruar, gjë për të cilën nevojiten vite, por për t’i filluar. Shqipëria është në një situatë të ngjashme. Mali i Zi dhe Republika e Serbisë kanë negociuar për gati një dekadë dhe ende nuk shihet fundi i këtij tuneli të gjatë”, u shpreh ai.

Sipas Presidentit maqedonas vendeve te Ballkanit Perëndimor do t’u nevojiteshin 3-5 vjet për të arritur nivelin para pandemisë. Sipas tij këto vende nuk mund ta arrijnë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë se koronavirusit pa mbështetjen e BE-së.

“Solidariteti global me pandeminë dhe menaxhimi i saj nga vendet më të fuqishme dhe më të pasura kishte dështuar. Rreth 30 mijë persona kanë humbur jetën nga COVID-19 në rajon, dhe se ekonomitë kanë pësuar rënie për rreth 3,4%”, tha Pendarovski.

Sa i përket stabilitetit rajonal, ai tha se nuk mund të flitet për këtë pa integrimin rajonal siç është iniciativa e “Mini-Shengenit”.

“Kur flasim për stabilitetin rajonal, nuk mund të flasim pa integrim rajonal. Një nivel më i lartë i integrimit sjell stabilitet më të madh në rajon dhe 100% prosperitet më të madh për të gjithë popujt në rajon”.

Pendarovski rikujtoi se numri i njerëzve që jetojnë në Ballkanin Perëndimor është më pak se 4% e popullsisë së BE-së, ndërsa ekonomitë e gjithë vendeve të rajonit janë më pak se 1% ekonomia e BE-së.

Comments