Dialogu Kosovë-Serbi, Borell i njofton me detajet e takimit të fundit ministrat e jashtëm të BE-së

298

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borell do të informojë ministrat e jashtëm të BE-së për raundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi që u mbajt me datë 15 qershor në Bruksel, transmeton Gazeta Express.

Borell do të i njoftojë ministrat për takimin mes Prishtinës dhe Beogradit që u mbajt me ndërmjetësimin e Brukselit si dhe për raundin tjetër të dialogut që është caktuar për në fund të muajit korrik.

Pos dialogut Kosovë-Serbi, ministrat e BE-së do të diskutojnë edhe për marrëdhënie Turqinë dhe Rusinë, situatën në Liban, procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel me datë 15 qershor me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Të dy palët kanë dalë nga ky takim, duke mos u pajtuar me kushtet e vëna nga pala tjetër.

Kryeministri Kurti ka shkuar në dialog me katër kërkesa për Serbinë, përfshirë këtu edhe një pikë ku thuhej se dy shtetet duhet të zotoheshin që të mos sulmonin shtetin tjetër.

Asnjë nga këto pika nuk është pranuar nga shteti serb, derisa, Vuçiq ka vazhduar që të insistojë që Asociacioni të jetë pjesë e diskutimeve të dy vendeve.

Kurti dhe Vuçiq do të përballen sërish në Bruksel me datë 25 korrik.

Për detajet e takimit të fundit që patën Kurti dhe Vuçiq është informuar edhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden që gjatë kohës sa po mbahej takimi po qëndronte për vizitë zyrtare në Bruksel.

Comments