Mungesa e stafit të mjaftueshëm shëndetësor ngadalëson procesin e imunizimit

384
 Ka hyrë në ditën e gjashtë ajo që Ministria e Shëndetësisë e ka promovuar si vaksinim të masës, megjithatë qendrat e vaksinimit kanë qenë të mbyllura për këtë proces dy ditëve të vikendit dhe shërbim është ofruar vetëm për aplikimin e dozës së dytë. Arsye për këtë është mungesa e stafit, ndërkohë që të hënën ka pasur edhe numër të reduktuar të qytetarëve në Qendrën e vaksinimit në Prishtinë.

Koordinatori i vaksinimit, Niman Bardhi, ka thënë që për vikend nuk është punuar që të mos ketë mbingarkesë të stafit ekzistues shëndetësor.

“Sipas planit të veprimit procesi do të zbatohet gjatë 5 ditëve të javës duke e llogaritur me gjithsej 13 orë pune, ku atë plan e keni të gjithë ju mediat dhe institucionet relevante, dhe duke respektuar atë ky është edhe qëllimi që ndoshta dita e diel apo edhe e shtuna, d.m.th. ditët e vikendit të jenë të lira me qëllim që të mos kemi lodhje”, ka deklaruar Bardhi.

Në Qendrën e vaksinimit në Prishtinë të hënën është parë numër më i vogël i qytetarëve dhe për këtë Bardhi i fajëson vetë ata për mosregjistrim në E-Kosova, por edhe për paraqitje në qendra vaksinimi pa termin të caktuar.

“Vaksina ka, situata që po e shihni me numër të reduktuar është pikërisht nga mospërcaktimi i terminit apo thjesht të aplikimit, por kur vijnë këtu edhe ne i kërkojmë këto tri kategori atëherë detyrimisht duhet t’i kthejmë, sepse njëherë e mirë duhet të vetëdijesohemi që të kemi mirëmbajtje dhe saktësi në platformën E KOSOVA”, ka thënë Niman Bardhi.

Megjithatë, që nga fillimi i vaksinimit në masë ka pasur ankesa të shumta për vonesa në caktimin e terminëve të atyre që kanë aplikuar në platformën online. Ka pasur edhe të tillë që janë ftuar brenda një kohe të shkurtër dhe kjo, për shkak se kanë raportuar sëmundje kronike.

“Kom ardhë me përcjellë nanën, sepse ka qenë radha e saj për vaksinim pasi që është e diagnostikuar nga gjëndrat tiroide dhe i është ardhë radha si me smundje kronike… Jo, pasi që kemi apliku dhe jemi klasifiku si rast me sëmundje kronike radha është ardhë shumë shpejt, pritje s’ka pasë, gjithçka ka qenë në rregull, jemi të kënaqur”, është shprehur qytetari Drin Ramadani.

Ministria e Shëndetësisë nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth mungesës së stafit shëndetësor dhe ndërprerjes së vaksinimit masiv gjatë vikendit. Informata nuk ka dhënë as rreth procesit të furnizimit me vaksina. E në raportet e përditshme të kësaj Ministrie në Facebook, thuhet që numri i përgjithshëm i të vaksinuarve ka arritur në 134.391, kurse dozën e dytë e kanë marrë 19.518 qytetarë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 2 raste të reja me koronavirus nga 1328 testime. 14 pacientë janë shëruar dhe nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.

Comments