Filipçe: Deri në fund të Verës imunitet kolektiv
Kina deri më sot e ka ndihmuar shëndetësinë në Maqedoninë e Veriut me mjete për furnizim me pajisje medicinale, e nevojshme për mposhtjen definitive të epidemisë korona, por së bashku me çekun nuk kanë arritur edhe 500 mijë dozat e shumëparalajmëruara të vaksinave nga prodhuesi Sinovak, të cilat priten deri në fund të muajit qershor.
“Maqedonisë së Veriut i kemi dhënë donacione në dy baza, së pari 2,300.000 denarë për blerjen e pajisjeve medicinale dhe së dyti Kryqi i Kuq kinez ka dhuruar 100.000 dollarë për mjete antiepidemike. Mund ta menaxhojmë situatën së bashku për të ardhme të përbashkët. Kina angazhohet për krijimin e komunitetit global dhe shëndet për të gjithë.”
Për momentin në vend janë vaksinuar rreth 300 mijë persona, por me arritjen e vaksinave kineze, si dhe porositë nga prodhues të tjerë gjatë muajve të verës, Ministri Filipçe pret imunitet kolektiv, në qoftë se planin nuk e prish “lloji indian” i virusit.
“Deri në fund të verës besoj se do të arrihet përqindje për të cilën mund të themi se është imunitet kolektiv. Ajo për të cilën nuk mund të jemi të sigurtë është se si do të ndikojnë mutacionet e virusit.”
Përndryshe në më shumë pjesë të Qendrës Klinike në Shkup tashmë janë kthyer veprimtaritë e zakonshme, pasi numri i të infektuarve të rinj me virusin korona është ulur dukshëm. Klinika e Syve dhe ajo e Neurologjisë, në ndërtesën e Klinikës për Sëmundje Interne, ku gjatë valës së muajit prill kanë qenë të shtruar qindra pacientë me Covid, tani janë rinovuar, sillen pajisje të reja, ndërsa qytetarët informohen se kjo pjesë e spitalit nuk është më në gjendje të jashtëzakonshme.