Hungari, skepticizëm rreth kartave të vaksinimit

656

Hungaria filloi zbatimin e kartave të imunitetit, një dokument i ri identifikues për qytetarët e vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës kundër COVID-19. Karta u mundëson banorëve të imunizuar kthimin në jetën normale. Megjithatë, aktivistë për të drejtat e njeriut shprehen të shqetësuar se kjo mënyrë e menaxhimit të pandemisë nga qeveria hungareze mund të çojë në pabarazi.

Dhjetëra mijëra tifozë futbolli u grumbulluan në stadiumin “Puskas Arena” në Budapest javën e kaluar për Kampionatin Evropian, ngjarja e parë ndërkombëtare e futbollit në Evropë, që zhvillohet në prani të shikuesve pas më shumë se një viti.

Kthimi në stadiume me kapacitetet të plotë në Hungari është shoqëruar me miratimin e kartave të imunitetit të lëshuara nga qeveria si pjesë e procesit të vaksinimit kundër COVID-19.

Përveç aktiviteteve sportive, karta që tifozët hungarezë duhet të paraqesin para hyrjes në stadium u siguron atyre qasje edhe në shërbime dhe vende tjera si hotele, qendra turistike, teatro dhe restorante.

Megjithatë, ndërsa ata që kanë marrë të paktën një dozë vaksine ose janë shëruar nga COVID-19 kthehen në jetën normale, të tjerë ngrenë shqetësimin se këto karta mund të krijojnë terren për pabarazi dhe shkelje të të drejtave themelore.

David Vig, drejtor i grupit për të drejtat e njeriut të organizatës Amnesty International për Hungarinë, shprehet i shqetësuar se sistemi mund të krijojë një shoqëri të ndarë në dy klasa, ata me kartë vaksinimi dhe ata pa kartë.

“Kjo është më shumë t’u japësh karta VIP atyre që janë vaksinuar se sa të marrësh masa të vërteta dhe të kesh një rrugë të qartë drejt vaksinimit të të gjithë shoqërisë”, thotë zoti Vig.

Sigurimi i vaksinave nga Kina, Rusia dhe përmes Bashkimit Evropian, bëri të mundur që Hungarisë të ketë nivelin e dytë më të lartë të vaksinimit në BE.

Sipas Qendrës Evropiane për Kotrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve më shumë se 66 për qind e të rriturve në Hungari kanë marrë të paktën një dozë. Por javëve të fundit, ritmi i vaksinimit është ngadalësuar dukshëm.

Të dhënat e qeverisë tregojnë se rreth 2 milionë banorë në Hungari ende nuk posedojnë kartë imuniteti, gjë që i kufizon ata nga shumë mundësi që u ofrohen atyre që kanë kartën.

Nbajtja në fuqi e masave kufizueve për të pavaksinuarit është në qendpër të strategjisë së qeverisë për të nxitur vaksinimin, por ajo po e bën këtë “me masa shumë të forta”, tha zoti Vig.

Përmes një deklarate në prill, Unioni i Lirive Civile në Hungari argumentoi se kartat ishin diskriminuese për ata që, “për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore, nuk mund të vaksinohen përkohësisht ose përgjithmonë“, si gratë në faza të caktuara të shatzanisë, ose ata me sëmundje kronike.

Grupe të tilla si dhe shtresa e varfër, pa qasje në internet e kishte të pamundur regjistrimin e detyrueshëm online për t’u vaksinuar, ndërsa sot ata përballen me diskriminim për mungesën e kartës, argumentoi grupi.

Akos Sipos, banor 45 vjeçar në Budapest, nuk ndihet rehat kur tregon kartën e tij para hyrjes në vende publike, por thotë se nuk ka rrugë më të përshtatshme për tejkalimin e situates.

“Kur një fëmijë hyn në kopshtin e fëmijëve, ai ose ajo duhet të merr disa vakisna të caktuara. Nëse e sheh me këtë sy, e njëjta vlen edhe për situatën aktuale. Unë e shoh kartën si një të keqe të domosdoshme”, thotë zoti Sipos.

Zoti Vig nga Amnesty International ngre shqetësimin tjetër se procesi i regjistrimit pëpr vaksinat mund të përdoret për grumbullimin e të dhënave të qytetarëve për përfitime politike.

“Shpresoj shumë që kjo nuk do të përdoret për qëllime elektorale, ose politike në të ardhmen. Por nuk mund të them se jam i sigurt për këtë“, tha ai.

Ndërsa më shumë se 60 mijë tifozë u lejuan në stadiumin “Puskas Arena” javën e kaluar për ndeshjet e futbollit, qeveria e Hungarisë vazhdon të mbajë në fuqi kufizime për protestat, me arsyetimin e rrezikut të përhapjes së pandemicë.

Zoti Vig thotë se kufizime të tilla nuk duhet të vendosen për një kohë të gjatë ose të pakufizuar. /VOA

Comments