Dramë në Detin e Zi, anija e flotës ruse dhe aeroplani luftarak me të shtëna paralajmëruese në drejtim të luftanijes britanike

443

Flota ruse në Detin e Zi së bashku me njësitet patrulluese të FSB-së kanë shtënë si shenjë paralajmërimi në drejtim të një luftanije britanike, me arsyetimin se është futur në ujërat ruse.

Moska i ka bërë thirrje SHBA dhe NATO të ndalin operacionet ushtarake në Detin e Zi, dhe së bashku të punojnë që t’i kontribuojnë stabilitetit, transmeton Telegrafi.

Luftanija britanike ishte paralajmëruar se do të përdoren armë nëse shkel ujërat e Federatës Ruse, megjithatë anija ushtarake nuk ka reaguar ndaj këtij paralajmërimi – kështu të paktën pretendojnë nga ministria ruse e Mbrojtjes.

“Luftanija Defender e marinës britanike gjatë 23 qershorit rreth orës 11:52, duke lëvizur në pjesën veriperëndimore të Detit të Zi, ka shkelur vijën kufitare të Federatës Ruse – duke u futur tri kilometra në territor”, thuhet në kumtesën e ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Ndër tjera thuhet se anija patrulluese e flotës ruse ka gjuajtur dy herë si paralajmërim, ku më pas edhe aeroplani rus Su-24M ka hedhur dy bomba.

E kjo sipas rusëve ka bërë që luftanija britanike të ndërrojë drejtim dhe të largohet nga ujërat e territorit rus.

Sikur kjo të mos mjaftonte, atasheu për mbrojtje i ambasadës britanike është ftuar në ministria ruse e Mbrojtjes në një bisedë, citon agjencia Interfax ministrinë e Rusisë. /Telegrafi/

Comments