SHTIP: HAPET KONSULLATA E NDERIT E HUNGARISË
Sot në Shtip është hapur Konsullata e Nderit e Hungarisë, në prani të dy shefave të diplomacive, Bujar Osmani dhe Peter Sijarto. Konsullata do të kryejë shërbime për qytetarët e pjesës lindore të Maqedonisë së Veriut, por pritet edhe të lehtësojë rrugën e investitorëve hungarezë që planifikojnë biznese në vend.
Funksionin Konsull i Nderit të Hungarisë, në Konsullatën e sapohapur në Shtip do ta ketë Daniela Arsovska, kryetare e Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë së Veriut. Ministri Osmani theksoi se kjo është hapje e rrugës për investime, por edhe për vende të reja të punës në rajon.
BUJAR OSMANI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME, RMV
“Duhet të sigurojmë më shumë hapësirë për zhvillim të biznesit, për investime të huaja të reja, më shumë vende pune, të hyra më të mëdha.”
Dy ministrat përveç për bashkëpunimin në biznes biseduan edhe për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
PETER SIJARTO, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME, HUNGARI
“Nga miqtë tanë bullgarë si miq të sinqertë dhe me respketin më të madh, kërkojmë një gjë – ne e respektojmë qëndrimin e tyre se cështjet që tani I imponojnë janë të rëndësishme për ta. Kërkesa jonë është të japin më shumë kohë që të gjindet zgjidhja dhe paralelisht të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE. Këto dy cështje të shkojnë paralelisht”
Krahas temave ekonomike dhe politike, Ministri Osmani e falenderoi mysafirin nga Budapesti, Peter Sijarto edhe për ndihmën e deritanishme për menaxhimin e krizës korona. /KlanMacedoni