I nxehti afrikan “vështirëson” përditshmërinë e qytetarëve, apeli i QKUM: Tregohuni të kujdesshëm!
Çadra, freskuese dore dhe bidona me ujë janë këto metodat qe kanë zgjedhur qytetarët për të përballuar të nxehtin afrikan që ka pushtuar vendin tonë. Temperaturat e larta kanë vështirësuar përditshmërinë e tyre, sidomos për qytetarët të cilët janë të detyruar që për arsye pune apo shëndetësore të lëvizin në këmbë në mes të vapës.
Ndërkohë Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm për të parandaluar dëmtimet nga i nxehti. Kërkohet të evitohet ekspozimi në diell nga ora 11:00 – 17:00, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit.
Ambienti të mbahet i freskët dhe I ajrosur mirë. Të pihen sa më shumë lëngje, kryesisht ujë dhe të konsumohen vakte ushqimore të shpeshta dhe në sasi të vogël. Për personat që përdorin terapi, rekomandohet të mos e ndërpresin ose e ndryshojnë pa u konsultuar me mjekun.