Sot dhe nesër vendi në fazën portokalli

564

Vendi sot dhe nesër do të jetë nën ndikimin e valës së ngrohtë me temperatura të larta nga faza portokalli (alerte). Kompetentët bëjnë thirrje që të respektohen masat e përgjithshme për mbrojtje të shëndetit, të lirohen nga detyrimet e punës grupet më të ndjeshme, përfshirë  gratë shtatzëna, si dhe personat e moshës mbi 60 vjet, ndërsa fëmijët nga kopshtet të mos lejohen të dalin në vende të hapura prej orës 11 deri në orën 17.

Sipas DPHM-së, gjatë ditës do të ketë vranësira të vogla deri mesatare. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor. Pasdite do të ketë kushte për paraqitje të izoluar të shiut dhe bubullimave të rralla. Temperaturat minimale do të sillen prej 15 deri 23 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 33 deri në 41 gradë Celsius. UV indeksi do të jetë 9.

Edhe në Shkup, priten vranësira të vogla deri mesatare me erë të lehtë deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura e minimale do të zbresë deri në 20, ndërsa ajo e ditës do të arrijë deri në 40 gradë.

Rekomandimet për mbrojtje të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) janë sipas paralajmërimeve të DPHM-së.

“Njësitë e pushtetit lokal, Kryqit të Kuq dhe Qendrat për punë sociale në rajonet përfshira nga vala e të nxehtit të kenë qasje më aktive dhe të ofrojnë ndihmë ndaj të moshuarve dhe personave të pamundur dhe pastrehëve”, apelon Ministria e Shëndetësisë.

Me faktin se disa produkte të caktuara dhe procese teknologjike mund të paraqesin rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve, nga MSH rikujtojnë punëdhënësit në obligimin e respektimit të rregullave ligjore në këtë sferë.

Ministria njëherësh përkujton masat e përgjithshme për mbrojtje të cilat duhet t’i respektojnë qytetarët, veçanërisht në këto ditë shumë të ngrohta.

“Të qëndrohet më shumë në hapësira të mbyllura (para së gjithash të kondicinuara) ndërsa gjatë nevojës për qëndrim në hapësirat të hapura, të gjendet mundësi për pushime më të shpeshta nën hije. Të vishen veshmbathje me ngjyra të hapura dhe të lehta, ndërsa gjatë ekspozimit direkt në diell të mbahen syza mbrojtëse dhe kapelë dhe të përdoret krem me faktor të lartë mbrojtës. Të konsumohet sasi më e vogël e ushqimit, kryesisht pemë dhe perime, ndërsa më pak ushqim i yndyrshëm. Të konsumohen sasi të mëdha të lëngjeve, më së miri ujë për pirje, ndërsa të shmangen pijet alkoolike. Gjatë hyrjes në automjet, nevojitet që një periudhë të caktuar të ajroset”, tregon MSH.

Të sëmurët kronikë iu rekomandohet që rregullisht ta marrin terapinë e shënuar, në konsultim me mjekët amë.

Për shkak të temperaturave të larta dhe mundësisë së rritur për paraqitje të helmimeve me ushqim dhe sëmundje infektuese të zorrëve, rekomandohet larje e detyrueshme e produkteve bujqësore kopshtare (gjelbërim i freskët dhe pemë) para përdorimit të tyre, përgatitje termike e ushqimit dhe konsumim i tij menjëherë pas përgatitjes.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimi Hapësinor (MMJPH) dje informoi se është e mundshme masë e ngrohtë ajrore e cila sjell pluhur ndërkufitar të jetë shkak për rritjen e lehtë të përqendrimeve të grimcave PM 10. Supozohet se bëhet fjalë për erë shkretëtire i cili mund të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Comments