SHBA-ja kritikon BE-në! Kërkohet datë për Shkupin dhe Tiranën, liberalizim të vizave për Kosovën

458

SHBA-ja vlerëson se kredibiliteti i BE-së në rajon është në nivel të ulët dhe vendet anëtare duhet të punojnë në kthimin e besimit. Ky ishte mesazhi i ndihmës sekretarit amerikan të shtetit Filip Riker në Forumin e Prespës për Dialog para liderëve të rajonit dhe përfaqësuesve të BE-së. Mos-dhënien e datës për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë e quajti dështim që dobëson bashkëveprimin e unionit me SHBA-në.

Si mundemi ne të kërkojmë nga vendet tjera të rajonit që synojnë BE-në që të zbatojnë reformat ë caktuara nëse kanë arsye të forta dhe të dukshme që kjo do t’u shpërblehet. Prandaj, është esenciale që vendet anëtare të BE-së të mbajnë premtimet e tyre dhe shpresojmë ta shohim këtë në javët dhe muajt e ardhshëm. Një vend tjetër ku BE-ja mund të tregojë konzistencë dhe besueshmëri, është liberalizimi i vizave për Kosovën”, tha Filip Riker, ndihmës sekretar amerikan i shtetit.

Komisari i BE-së për buxhet Johanes Han tha se dështimi I BE-së për fillimin e negociatave me dy vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund të arsyetohet. Ai kërkoi që kontestin me Bullgarinë ta marrin në dorë politikanët dhe vendosi theksin në reformat që vendet duhet të bëjnë në sundimin e të drejtës.

Mendoj se ka një mundësi. Ka një mundësi nëse procesi drejtohet nga politikanët. Nëse e lëmë në duart e ekspertëve dhe shkencëtarëve nuk do të ketë rezultat. Qasja e mirë e një politikani të mirë, e një lideri, siç e pamë te “Prespa”, është arritja e marrëveshjes, e kompromisit të mirë, që është në dobi të të gjithëve. Në fund, të dy palët përfitojnë më shumë nga marrëveshja, se sa nëse nuk ka kompromis. Kështu që, tani është koha për politikanët ta tregojnë veten dhe të shohim se si mund ta zgjidhim këtë”, theksoi Johanes Han, Komisar për buxhet.

Sllovenia, e cila ka marrë drejtimin e presidencës së BE-së në gjashtë muajt e ardhshëm tregoi se do të jetë një zë i fuqishëm për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor.

Një proces më i shpejtë i përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të përforconte dukshëm parimin e integritetit territorial të këtyre vendeve dhe gjithashtu të stabilitetit dhe sigurisë së rajonit dhe të Evropës si tërësi. Me moszgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor, BE-ja mbetet një projekt paqeje i papërfunduar sepse prek drejtpërdrejt në premtimin për prosperitet, mirëqenie dhe stabilitet”, tha Borut Pahor, president i Sllovenisë.

Në Forumin e Prespës për Dialog pikëpamjet e tyre i ndanë edhe ekspertë, politikanë dhe funksionarë të tjerë nga rajoni dhe institucionet ndërkombëtare.

Fatlume Dervishi

Comments