Kosova s’mund ta gjurmojë variantin Delta

312

Kosova nuk mund të kryejë teste për të detektuar rastet eventuale me variantin Delta, pasi për këtë nuk ka reagenca, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë. Këto teste, ministria i dërgon në Berlin.

Reagenca është substancë që ndikon në kryerjen e një reaksioni apo analize dhe një procedurë e tillë kërkon pajisje, ekspertizë, ambient dhe infrastrukturë të veçantë.

Më 29 qershor, Kosova regjistroi dy raste me variantin Delta të koronavirusit, variant ky që po përhapet me shpejtësi në mbarë botën. Rezultatet e testeve për këtë variant ishin bërë në Berlin.

Për dallim nga Kosova, shtetet fqinje, siç janë Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina vazhdimisht përcjellin përhapjen e variantit Delta.

Varianti Delta, që fillimisht është identifikuar në tetorin e vitit të kaluar në Indi, ka shkallë më të lartë të infektimit për 50-60 për qind më e lartë se variantet tjera, duke prekur edhe moshat më të reja.

Skender Syla nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Bullgari, tha për Radion Evropa e Lirë, se vaksinimi i qytetarëve, në këtë kohë kur po përhapet varianti Delta, është shumë i rëndësishëm.

Ai shtoi se Kosova duhet të ngre kapacitetet, në mënyrë që testet të jenë të përditësuara, varësisht prej zhvillimit të situatës epidemiologjike dhe shfaqjes së varianteve të reja të COVID-19. Ai po ashtu tha se hapa të tjerë epidemiologjikë duhet të ndërmerren gjatë gjithë fazave të pandemisë.

“(Hapat që duhet të ndërmerren janë) Identifikimi i hershëm i rasteve, izolimi i tyre, mbajtja e distancës fizike apo sociale në momentet kur identifikohet se ka shpërndarje të virusit. Sa u takon testeve, secili vend bën numër të testeve në bazë të resurseve që ka në dispozicion, në bazë të kapaciteteve dhe nevojave. Mirëpo, është një fatmirësi që tash ka edhe rrjete ndërkombëtare, ku edhe nëse nuk mund të bëhet sekuencimi i testeve në vendin përkatës, mostrat mund të dërgohen edhe në vende të tjera”, tha Syla.

Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, tha se kjo organizatë është duke ndihmuar Kosovën që sa më parë të sigurojë materiale testuese për variantin Delta.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive në Prishtinë, Arben Vishaj tha se klinika që ai udhëheq, është në gjendje gatishmërie për të trajtuar rastet me cilindo variant të koronavirusit.

“Varianti Delta nuk ka ndonjë protokoll të veçantë të trajtimit, por trajtimi është sikurse variantet e tjera që kanë qenë më përpara, edhe ky variant duhet të trajtohet me protokoll të njëjtë”, tha Vishaj.

Vishaj tha se variantet ekzistuese të sëmundjes COVID-19, por edhe ato që mund të zbulohen në të ardhmen, janë shqetësuese nëse qytetarët nuk vaksinohen.

“Vaksinimi është i vetmi mjet i cili është i domosdoshëm, është shumë e nevojshme që të bëhet vaksinimi masiv i popullatës në mënyrë që në të ardhmen, situata të tilla që mund të vijnë, të mos na befasojnë për të keq”, tha ai.

Zyrtarë të OBSH-së, kanë konfirmuar se vaksinat ekzistuese kundër koronavirusit, “janë efektive”, kundër variantit Delta.

Ndryshe, që prej fillimit të procesit të vaksinimit në Kosovë, numri i personave të vaksinuar me të dyja dozat e vaksinave është 67,578, ndërsa shifra totale e vaksinave të administruara është 260,955.

Në 24 orët e fundit, 6,361 persona janë vaksinuar kundër koronavirsuit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, të hënën regjistroi pesë raste të infektimit me koronavirus pas testimit të 1,050 mostrave.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107,859 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,264 kanë vdekur.

Comments