Letërnjoftimet me emrin e ri në Kuvend, në kartat e reja s’ka vend për grafën etnike

361

Propozim-Ligji për letërnjoftime i propozuar nga Ministria e Brendshme merr dritë jeshile në trupat punues të Kuvendit. Drafti parashikon që në kartën e identitetit përveç gjuhës maqedonase të përdoret edhe gjuha shqipe dhe gjuha të cilën e flasin më pak se 20 për qind e qytetarëve. Propozimi parashikon që përveç gjuhës maqedonase dhe angleze, përdorimi i ndonjë gjuhe tjetër në letërnjoftime mundësohet vetëm me kërkesë ekskluzive të qytetarëve.Propozim-Ligji për letërnjoftime
“Qytetarëve të cilët flasin gjuhë tjetër nga gjuha maqedonase, gjuhën që e flasin 20% e qytetarëve, sipas detyrës zyrtare karta e identitetit i shtypet me të dhënat në gjuhën dhe shkrimin që e flasin të paktën 20% e qytetarëve.
Qytetarëve të cilët flasin gjuhë tjetër nga gjuha maqedonase, gjuhën që e flasin më pak se 20% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, karta e identitetit i shtypet në gjuhën dhe alfabetin të cilën e flet qytetari.
Qytetarëve të cilët flasin gjuhë tjetër nga gjuha maqedonase, gjuhën që e flasin më pak se 20% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, me kërkesë të tyre, të dhënat personale në letërnjoftim shkruhen edhe në gjuhë të cilën e përdor qytetari”.

Letërnjoftimet me emrin e vjetër të shtetit, Republika e Maqedonisë, nga hyrja në fuqi e Ligjit të ri për letërnjoftime do të mund të përdoren deri më 12 shkurt të vitit 2024. Në kuadër të kësaj pakoje ligjore, Kuvendi në trupat punues i hapi rrugën edhe miratimit të Ligjit për personat e paevidentuar në librat amë të cilëve përmes punësimit iu mundësohet edhe regjistrimi në librat amë. Kjo zgjidhje ligjore parashikon evidentimin e personave “fantom” në regjistrat e institucioneve.

Ndërsa Qeveria propozon për herë të dytë Ligjin për letërnjoftime, propozimi i Lëvizjes Besa për vendosjen e grafës së përkatësisë etnike në kartën e identitetit mbetet premtim në letër. Propozimi i dorëzuar në Kuvend nuk është shqyrtuar për shkak të bllokadës nga partia “E Majta”, ndërsa nga Lëvizja Besa thonë se në bashkëpunim me Qeverinë janë duke punuar për gjetjen e mënyrës së duhur që do të çonte në miratimin e ligjit. Së fundmi lideri i kësaj partie Bilall Kasami i tha televizionit Alsat se subjekti i tij nuk është tërhequr dhe nuk do të tërhiqet nga kërkesa për grafë etnike në letërnjoftime.

Adrian Kerimi

Comments