Osmani: Situata e krijuar në Deçan duhet të trajtohet me urgjencë, po presim rezultatin e analizave
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka vizituar sot Qendrën e Klinikës Familjare në Deçan ku janë duke u trajtuar mbi 1 mijë e 500 banorë të Deçanit të cilët dyshohet se janë helmuar nga uji i pijes.
Me këtë rast, Osmani ka deklaruar se tashmë janë duke u kryer të gjitha analizat e nevojshme, në mënyrë që të dihet qartazi se nga ka ardhur ky helmim.
“Ka edhe qytetarë që vinë nga fshatrat tjerë e që s‘janë furnizuar nga ai burim i ujit, por nga burime të tjera përpos analizave kimike të ujit që kanë përfunduar tani po presim edhe analizat biologjike të cilat pritet që brenda disa orëve të përfundojnë pasi ka disa ekipe të institutit që po punojnë në këtë drejtim, por pres që institucionet të drejtësisë dhe të hetuesisë në veçanti të trajtojnë rastin me urgjencë”, deklaroi Osmani, shkruan lajmi.net.
Tutje presidentja Osmani tha se jo vetëm që është shpallur Gjendje Emergjente nga Komuna e Deçanit, por sepse kjo situatë ka të bëjë me shëndetin publik të qytetarëve dhe si e tillë duhet që domosdoshmërisë të trajtohet me urgjencë dhe sa më parë të dihet shkaku i krijimit të kësaj situate.
“Si institucione ofruam gjithë mbështetjen tonë, komunës për çfarëdo nevoje që ka për të mbështetur komunën dhe në veçanti QKMF-në për tu përballur me këtë situatë.Në ndërkohë shpresojmë që të gjithë qytetarët e prekur me helmim të kalojnë këtë situatë.
Ne do të bashkëpunojmë me institucionet lokale në çdo moment derisa të tejkalohet kjo situatë në plotni”, tha ajo./Lajmi.net/