Memli Krasniqi për helmimet në Deçan: Qeveria u tregua neglizhente – duhet mobilizim urgjent

308

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër për neglizhencën e treguar nga Qeveria Kurti pas helmimit të rreth 1000 qytetarëve në Komunën e Deçanit.

Ai ka thënë se duhet të ndërmerren masa të shpejta për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të dëmtuar, mes tjerash duke siguruar medikamente, staf shëndetësor shtesë, si dhe ujë të pijes të sigurt, transmeton lajmi.net.

Deklarata e plotë e kreut të PDK-së, Memli Krasniqi:

Jam i shqetësuar me gjendjen e rëndë nëpër të cilën po kalojnë qytetarët e Deçanit.

Helmimi i qytetarëve të kësaj komune nuk është vetëm çështje e shëndetit publik, por edhe çështje e sigurisë nacionale dhe kërkon mobilizim të gjithëmbarshëm të të gjitha niveleve të qeverisjes.

Jam i brengosur edhe për neglizhencën e Qeverisë qendrore, e cila me shumë vonesë po e trajton situatën, në kohën kur duhet të jetë plotësisht pranë qytetarëve të kësaj komune.

Duhet të ndërmerren masa të shpejta për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të dëmtuar, mes tjerash duke siguruar medikamente, staf shëndetësor shtesë, si dhe ujë të pijes të sigurt.

Po ashtu, duhet ofruar gjithë ndihmën e nevojshme institucioneve lokale dhe siguri për të gjithë qytetarët e Deçanit, duke mos lënë hapësirë për panik.

Ftoj institucionet përgjegjëse që ta hetojnë rastin dhe të dalin me konkluzione sqaruese sa më shpejt! /Lajmi.net/

Comments