Avokati i Thaçit përmend Vjosa Osmanin: Incidenti me kasafortën u orkestrua për t’i arsyetuar shkarkimet
Ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi iu vazhdua dje paraburgimi nga gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nicollas Guillou. Ky i fundit, injoroi garancinë e dy shteteve të treta për lirimin nga paraburgimi të ish-drejtorit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Para se të merrej vendimi për refuzimin e lirimit, avokati i Thaçit, Gregory Keohe, kishte dërguar në Gjykatë parashtresa kundër-argumentuese ndaj pretendimeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen e rishikimit të paraburgimit, shkruan lajmi.net.
Në këto parashtresa, avokati Keohe ka përmendur një çështje e cila kishte shkaktuar bujë të madhe në opinionin kosovar, ajo e hapjes së kasafortës në presidencën e Kosovës.
Keohe argumenton se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dhënë një pasqyrë të paqartë të së vërtetës në këtë rast.
Madje, sipas Keohes, e tërë kjo ngjarje u orkestrua për të shkarkuar zyrtarë të caktuar. Në këtë rast, nga pozita e tij ishte shkarkuar ish-sekretari i presidencës, Driton Gashi.
“Në mënyrë të ngjashme, ZPS jep një pamje të pjesshme të incidentit të kasafortës së Presidencës. Në mënyrë domethënëse, Presidenti i Përkohshëm, rivali politik i Z. Thaçi, paraqiti një ankesë penale, duke pretenduar abuzim me autoritetin. Prokuroria Speciale përcaktoi se “hapja e kasafortës nuk përmban ndonjë element të veprës penale”. Një përfundim i arsyeshëm është se ky incident – shumë i publikuar nga Presidenti (atëherë Ushtrues i Detyrës së Presidentit) – u orkestrua si bazë për të shkarkuar zyrtarët përkatës. Pavarësisht nga motivi, ngjarja demonstron se “garda e vjetër ’ po hiqet sistematikisht, duke minuar mbështetjen e Gjyqtarit Paraprak në“ një rrjet të gjerë të mbështetësve për të ndikuar në dëshmitarë ose për të ndërhyrë në procedurë ”në përcaktimin e rrezikut të fluturimit të z. Thaçi dhe rrezikut të pengesave”, thuhet në parashtresat e Keohe.
Lajmi.net raportoi dje për faktin se dy shtetet kanë dalë garantore për lirimin e Thaçit nga paraburgimi.
Megjithatë, kjo u injorua nga gjyqtari paraprak që refuzoi kërkesën për mbrojtje në liri.
Me vendimin e djeshëm për Thaçin, nënkuptohet se të gjithë krerëve të UÇK-së u janë refuzuar kërkesat për lirim nga paraburgimi.
Sidoqoftë, kjo çështje pritet të përfundojë në Apelin e Speciales, njëjtë siç kishte ndodhur herën e parë kur Gjyqtari Paraprak ia kishte refuzuar lirimin krerëve të UÇK-së. /Lajmi.net/