Rama “thumbon” Kurtin në Samitin e Shkupit: Çohet njëri atje thotë se nuk duhet të takohemi

299

Nga Samiti i Shkupit, i organizuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe ku pjesëmarrës ishte edhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama deklaroi se nuk do të presin konsensusin e të gjitha vendeve në rajon, por do ta bëjnë realitet tani.

Gjithashtu, Rama ngriti pyetjen, se për çfarë mendohet Mali i Zi dhe Bosnja, ndërsa për Kosovën tha se “jam kundër qëndrimit që ka mbajtur”.

Gjatë fjalës së tij, Edi Rama shpalosi sipas tij edhe arsyet se përse duhet që vendet e Ballkanit duhet të bëhen pjesë e kësaj nisme rajonale.

“Ne nuk mundet dot të lexojmë shifra, fakte të vëna para syve tanë, jo nga ekspertët e qeverive tona, por nga organizmat ndërkombëtarë si Banka Botërore, ku thuhet se nëse duhet të rrisim prodhimin e përgjithshëm kombëtar mund ta rrisim deri në 2.5% vetëm nga integrimi ekonomik, ndërkohë që nëse arrijmë nivelin e marrëveshjes europiane të tregtisë së lirë mund të shkojë në rritje 6.7% dhe pse duhet t’ja privojmë vetes këtë? Nuk kemi përse të presim që integrimin e rajonit. Ne nuk mund të presim konsensus nga të gjithë për t’u takuar. Çohet njëri dhe thotë nuk duhet të takohemi apo nuk duhet të nënshkruajmë këtë apo atë” tha Rama.

Ndërkaq Zoran Zaev deklaroi në Forumin rajonal Ekonomik në Shkup se nisma rajonale mes Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë përmban katër liritë e BE-së. Zaev tha se me këtë nismë synohet lehtësimi i jetës së qytetarëve dhe fuqizimi i bashkëpunimit rajonal. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u shpreh se nuk duhet të presim nga të tjerët, referuar BE-së, por të marrim vetë fatin tonë në dorë.

Comments